Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, rivarrimi të premten
Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës ka njoftuar se janë gjetur dhe identifikuar mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, i rrëmbyer gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një postimi në faqen e Facebookut, Komuna e Gjakovës njoftoi se ceremonia e rivarrimit të tij do të mbahet të premten në orën 13:30 në Kompleksin Memorial në Çabrat.
Në njoftim thuhet se homazhet do të mbahen nga ora 12:00 deri në orën 13:00 në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.
“Më 27 mars 1999, tani i ndjeri Myrteza, së bashku me babanë e tij Skënder Dylhasi, me gjashtë anëtarë të familjes Qerkezi, dy fqinjët e familjes Jetishi dhe një anëtar të familjes Ymeraga, u morën nga forcat serbe, nga shtëpia e Halim Qerkezit në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.
Myrteza Dylhasi është vëllai i Flamurit, i cili punon si mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Këtë e bëri të ditur kolegu i tij, Naim Uka, i cili ka rrëfyer përvojën e tij profesionale, duke theksuar se që nga fillimi i karrierës, çështja e personave të zhdukur ka shoqëruar çdo hap të tij.
Ai veçanërisht nënvizon bashkëpunimin me Dr.Flamur Dylhasin, i cili siç tha ai, ka humbur babanë dhe vëllain nga regjimi serb.
Duke folur për Flamurin, Naim Uka tha se nga familja e tij, vëllai është tashmë i identifikuar, ndërsa babai mbetet ende në listat e të zhdukurve, duke lënë familjen me një boshllëk të thellë emocional.
“Në situata të tilla, fjalët janë të mangëta, ndërsa dhimbja vazhdon të rëndojë mbi familjarët e atyre që ende mungojnë. Lavdi e përjetshme martirëve të Kosovës! Lavdi martirit Myrteza Dylhasi! I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, martirit gjakovar”, ka shkruar Uka. /Klankosova.tv
