LAJMETSTORJE & INTERVISTA

INTERVISTË/Rritja e aksidenteve fatale në trafik – Eksperti: Duhet veprim urgjent dhe edukim nga shkolla fillore

Gazetare: Mihane Hoxha

Vetëm gjatë muajve të fundit, sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, janë regjistruar mbi 13,235 aksidente në trafik, ku 58 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë lënduar rëndë. Kjo situatë alarmante ka ngjallur shqetësim të thellë në opinionin publik dhe ka rritur presionin ndaj institucioneve për të ndërmarrë masa urgjente.

Në përgjigjen e saj zyrtare për Vendisot.info, Policia e Kosovës thekson se po zbaton urdhra operativë si “Siguria në Trafikun Rrugor” dhe “Sezoni Veror 2025”, duke përfshirë edhe plane specifike për mjetet me dy rrota, në përpjekje për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar aksidentet.

Për të kuptuar më thellë shkaqet që qëndrojnë pas këtij trendi shqetësues dhe për të diskutuar zgjidhjet e mundshme, kemi biseduar me Skender Shalën, ekspert gjyqësor të komunikacionit.

Vendisot.info: Si e shpjegoni rritjen e fundit të aksidenteve në komunikacion në vendin tonë?

Skender Shala: Në bazë të statistikave, krahasuar gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, rezulton se numri i aksidenteve është në rritje në vitin 2025, si për nga numri i aksidenteve me fatalitet, po ashtu edhe për nga numri i aksidenteve në përgjithësi.
Statistikat për numër të aksidenteve llogariten në bazë të numrit të automjeteve në qarkullim. Nëse krahasojmë periudhat kohore të cilave i referohemi, rezulton se në periudhën janar–qershor 2025 numri i automjeteve ka qenë në rritje, më i madh se në periudhën janar–qershor 2024, ashtu që edhe numri i aksidenteve ka qenë më i madh gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, ka një rritje të vogël për 5 apo 7 përqind në numër më të madh të aksidenteve në periudhën janar–qershor 2025.
Nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e aksidenteve është numri më i madh i automjeteve në rrugë gjatë vitit 2025.
Me rritjen e numrit të automjeteve krijohen kolona të gjata në periudha të caktuara të ditës. Me këtë kemi edhe humbje të kohës në rrugë/në udhëtim. Kjo ndikon në rritjen e numrit të aksidenteve, ndikon në lodhjen e drejtuesit, ndikon në aspektin psiko–fizik. Drejtuesi tenton të kompensojë kohën e humbur në kolonë me rritjen e shpejtësisë dhe mënyra të tjera të cilat rrisin rrezikun për të shkaktuar aksident, por edhe në shkaktim të aksidenteve.
Pavarësisht numrit më të madh të aksidenteve, faktori njeri mbetet faktori kryesor që ndikon më së shumti në shkaktimin e aksidenteve.
Në Kosovë nuk ka statistika të mirëfillta për shkaqet që ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve, sidomos nuk ka të dhëna për faktorin rrugë, automjet dhe faktorëve të tjerë ndikues, gjë që ndikon në pamundësinë e identifikimit të faktorëve që ndikojnë në rritjen e numrit të aksidenteve.

Skender Shala – Ekspert gjyqësor i komunikacionit

Vendisot.info: Cilët janë faktorët më të shpeshtë që çojnë në aksidente me fatalitet?

Skender Shala: Faktorët më të shpeshtë që ndikojnë në aksidente me fatalitet janë faktori njeri, respektivisht shpejtësia e madhe apo e papërshtatshme e lëvizjes, tejkalimet e parregullta, mosrespektimi i përparësisë në udhëkryq, përdorimi i telefonit, alkoolit, lodhja, mbivlerësimi i aftësive personale dhe aftësive teknike të automjetit.
Pastaj kemi faktorin rrugë që ka ndikim në raste të caktuara drejtpërdrejt e në disa raste në mënyrë indirekte.
Faktor tjetër janë këmbësorët – lëvizja e këmbësorëve në shumë raste është në kundërshtim me rregullat e trafikut.

Vendisot.info: Sa ndikon gjendja e infrastrukturës rrugore në këto aksidente?

Skender Shala: Infrastruktura rrugore dhe mënyra siç është zhvilluar kjo infrastrukturë ka ndikim në rritjen e numrit të aksidenteve. Kemi raste të rrezes së kthesave jashtë standardit, pjerrtësitë tërthore të rrugës jo adekuate, rrjedhja e ujërave përgjatë sipërfaqes së rrugës, sinjalizimi jo adekuat, mungesa e ndriçimit në rrugë. Kemi udhëkryqe me dukshmëri të pamjaftueshme dhe rrezet e hyrje/daljeve të vogla jo vetëm në udhëkryqe por edhe me rastin e hyrjes apo daljes nga qendrat e bizneseve. Përgjatë rrugëve kryesore janë ndërtuar biznese në të dy anët e rrugëve, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shkaktimin e aksidenteve – fillimisht në zvogëlim të shpejtësisë së lëvizjes për shkak të daljes nga rruga. Kjo detyrimisht ndikon në zvogëlim të shpejtësisë së lëvizjes dhe rrit mundësinë e përplasjes mbrapa mjetit që lëvizë përpara. Pastaj, hyrja në rrugë nga këto biznese rrit mundësinë e kyçjeve të pasigurta dhe shkaktimin e aksidenteve.

Vendisot.info: A ka mungesë të edukimit rrugor, veçanërisht tek të rinjtë që sapo marrin patentë shoferin?

Skender Shala: Mungesa e edukimit te të rinjtë vërehet që nga shkollimi fillor e duke vazhduar më tej. Normalisht që ka një pjesë të caktuar të edukimit të pamjaftueshëm, kjo është evidente në çdo pjesë të shoqërisë, por shqetësuese është edukata në trafik që nuk arrihet vetëm gjatë përgatitjes së kandidatit për marrjen e patentë shoferit. Do të duhej të ketë lëndë mësimore që nga shkollimi fillor – të mësohen shenjat e trafikut, respektimi i shenjave dhe respektimi i rregullave, mënyra e sjelljes në trafik, respektimi dhe toleranca ndaj të tjerëve edhe kur ata gabojnë.

Vendisot.info: Çfarë roli ka policia në parandalimin e aksidenteve dhe a mendoni se janë duke bërë mjaftueshëm?

Skender Shala: Policia e Kosovës është mjaft aktive në parandalimin e aksidenteve dhe mbikëqyrjen e qarkullimit dhe zbatimin e ligjit në rrugët e Kosovës. Për aq sa kanë kapacitete dhe mundësi, janë pothuajse akterët kryesorë që në mënyra të ndryshme mundohen të rrisin vetëdijen e drejtuesve – jo vetëm përmes gjobave por edhe me aktivitete të tjera. Në vazhdimësi bëjnë thirrje për kujdes në trafik, në respektim të rregullave të trafikut dhe të sigurisë, në përshtatje të shpejtësisë së lëvizjes, po ashtu edhe me shpërndarjen e fletushkave për respektim të disa rregullave apo informim të qytetarëve në respektim të rregullave të trafikut, por edhe me aktivitete të tjera si të dhënat për statistikat për numrin e automjeteve dhe numrin e aksidenteve dhe statistika të rëndësishme për analiza të mëtejme. Japin rekomandime për problemet në trafik, në rrugë, rekomandime për mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve, etj.

Vendisot.info: Cilat janë disa masa urgjente që institucionet duhet t’i marrin për të ulur numrin e aksidenteve?

Skender Shala: Si masë urgjente për të ulur numrin e aksidenteve në trafik, mendoj se duhet të formohet këshilli për siguri në trafik apo një komision, agjencion apo çfarëdo emri që të ketë, i cili do duhej të përbëhej nga ekspertë të lëmisë së trafikut por edhe të tjerë të legjislacionit, të cilët do të merrnin të dhëna të detajuara dhe statistika të sakta rreth shkaqeve të aksidenteve dhe do të rekomandonin ndryshimet e nevojshme në infrastrukturë, në legjislaturë, në mbikëqyrje, në aftësimin dhe rritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë së drejtuesve të automjeteve në respektimin e rregullave të trafikut dhe të sigurisë. Në këtë mënyrë do të mund të merreshim me faktorët ndikues në shkaktimin e aksidenteve dhe në zvogëlimin e numrit të aksidenteve.
Krijimin e hartës digjitale të aksidenteve, e cila do të na mundësonte të shihet qartë ku është numri më i madh i aksidenteve dhe njëkohësisht do të ishte një indikator për ndërmarrjen e masave të nevojshme në infrastrukturë apo çfarëdo mase tjetër në zvogëlimin e numrit të aksidenteve në akse të caktuara të rrugës.
Aksidentet nuk mund të ndalen në tërësi sepse nga vetë fakti se shkaktari kryesor është njeriu, respektivisht drejtuesi i automjetit – sjellja e tij në rrugë është individuale që varet nga disa faktorë: në radhë të parë gjendja psiko–fizike e tij, edukata dhe kultura e tij, niveli i njohurive të përgjithshme dhe të veçanta për rregullat e trafikut, niveli i vetëdijes për përgjegjësinë që ka gjatë drejtimit të automjetit për vetveten, për familjen dhe për të tjerët.
Tek drejtuesi i automjetit ka shumë faktorë që ndikojnë dhe është e vështirë të kontrollohet çdo drejtues dhe mënyra se si sillet në trafik. Ndikim ka lodhja e drejtuesit, pagjumësia, puna që ai bën, stresi, depresioni, nervoza, përdorimi i barnave, alkoolit, euforia e shumë faktorë të tjerë.
Një nga faktorët që ndikon në rritjen e numrit të aksidenteve është edhe lëvizja e këmbësorëve duke mos respektuar rregullat e trafikut. Këmbësorët e kalojnë rrugën në çdo vend – në vendkalim e jashtë vendkalimit, në dukshmëri të mjaftueshme e në mënyrë të pasigurt, në dukshmëri të pamjaftueshme e me rrezikshmëri të lartë, në vende ku lejohet e ku nuk lejohet kalimi i rrugës – e në disa raste deri te lëvizja e këmbësorëve në autostradë, ose zbritja e udhëtarit nga automjeti transportues në autostradë. Të gjitha këto ndikojnë në rritjen e numrit të aksidenteve, andaj është shumë me rëndësi që të evidentohen saktësisht të gjitha këto probleme, të adresohen dhe të shqyrtohet mundësia dhe mënyra e evitimit të këtyre problemeve në mënyrë që të zvogëlohet numri i aksidenteve.

Vendisot.info: Sa ndikon përdorimi i telefonit, alkoolit dhe shpejtësia në këto raste tragjike?

Skender Shala: Lidhur me përdorimin e telefonit, nuk kemi të dhëna të sakta rreth aksidenteve që kanë ndodhur e që është vërtetuar se aksidenti ka ndodhur për shkak të përdorimit të telefonit.
Mirëpo është një dukuri që vërehet – në çdo pjesë të rrugës ka drejtues të automjeteve që e përdorin telefonin. Sot telefoni është pjesë e pandashme e shoqërisë, mirëpo me ligj është përcaktuar saktë se si mund të përdoret telefoni gjatë drejtimit të automjetit – nuk duhet mbajtur telefoni në dorë dhe nuk duhet përdorur në atë mënyrë që ndikon në zvogëlim të aftësisë për ta drejtuar automjetin, nuk duhet të ndikojë në shpërqendrim të drejtuesit të automjetit. Mund të përdoren pajisje shtesë që mundësojnë përdorimin e telefonit pa e mbajtur telefonin në duar. Është me rëndësi që të evitohen në mënyrë të prerë shkrimi i mesazheve në telefon gjatë drejtimit të automjetit, por edhe përdorimi i rrjeteve sociale, lojërave të ndryshme, etj.
Po ashtu, përdorimi i alkoolit apo konsumimi i alkoolit nga drejtuesi i automjetit rrit mundësinë e shkaktimit të aksidentit, për shkak të rritjes së kohës së reagimit, perceptimit dhe vlerësimit jo të saktë të situatave të krijuara në rrugë. Humb ndjenjën e shpejtësisë, rrit dëshirën për shpejtësi të madhe të lëvizjes, rrit vetëbesimin te drejtuesi, rrit dëshirën për të mos i respektuar rregullat e trafikut. Nuk kemi të dhëna të sakta sa është numri i aksidenteve për shkak të përdorimit të alkoolit, por që ka aksidente për këtë shkak.
Shpejtësia e madhe e lëvizjes është shkaktar dominues në aksidentet me fatalitet, por edhe në ato me lëndime të rënda.

Vendisot.info: A mendoni që ka nevojë për ndryshim të legjislacionit aktual për trafikun? (Rritje të gjobave; marrje më të shpejtë të patentës për shkelje të rënda; më shumë pika negative për vozitësit; apo masa tjera parandaluese…)

Skender Shala: Ligji për rregullat e trafikut nuk ka shumë kohë që është ndryshuar, ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2024. Mendoj se nuk është e nevojshme ndryshimi i tij, mund të jetë i nevojshëm ndonjë plotësim-ndryshim i ligjit në ndonjë nen të caktuar për shkak të vështirësive në zbatim të tij apo ndonjë arsye tjetër.
Gjobat në trafik për standardin jetësor në Kosovë janë relativisht të larta dhe nuk mendoj se duhet të ndryshohen. Duhet vetëm zbatimi i ligjit, mbikëqyrje më e madhe e trafikut, eventualisht edhe me anë të kamerave inteligjente që do të mundësonin identifikimin e shkelësve të rregullave të trafikut, por do të ndikonin edhe në rritjen e sigurisë së përgjithshme në rrugë.

Të dhënat nga Policia e Kosovës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *