Izraeli bllokon mijëra palestinezë nga falja e namazit të xhumasë
Forcat izraelite penguan mijëra palestinezë të kryenin lutjet e xhumasë në xhaminë Al-Aksa.
Ushtarët izraelitë u vendosën rreth portave të jashtme të xhamisë Al-Aksa dhe portave të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit herët të premten, ku ndaluan mijëra palestinezë të hynin.
Bëhet e ditur se më pak se 500 njerëz arritën të kalonin në zonat e lutjes dhe oborrin brenda xhamisë, një pjesë e vogël e numrit që zakonisht marrin pjesë në vendin e shenjtë.
Pavarësisht kufizimeve të rënda në jetën e tyre të përditshme, dhjetëra mijëra palestinezë normalisht marrin pjesë në lutjet e xhumasë në Al-Aksa çdo javë, shkruajnë mediat e huaja.
Izraeli është përpjekur ta mbrojë vendimin, duke thënë se ai bazohet në sigurinë publike për shkak të sulmeve raketore iraniane ndaj Izraelit.
Megjithatë, palestinezët kanë frikë se konflikti po shfrytëzohet për të imponuar ndryshime të qëndrueshme në status quo-në.
Më parë këtë javë, autoritetet izraelite thanë se kishin hapur dy porta dhe do të lejonin një rihapje të pjesshme të xhamisë.
Megjithatë, një burim i lartë nga brenda xhamisë, i cili foli në mënyrë anonime për shkak të frikës nga hakmarrjet nga autoritetet izraelite, tha se njoftimi ishte mashtrues.
Ai vlerësoi se për çdo 100 që përpiqeshin të hynin në xhami, ata po lejonin një të hynte.“Shkurt, Al-Aksa është bosh. Edhe stafi është i pakët në numër”, tha ai.