LAJMET

Jevtiq dyshohet se u rekrutua nga shërbimi sekret serb dhe i çoi te BIA dokumentet konfidenciale të Policisë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj policit Bojan Jevtiq, i dyshuar për veprën penale të spiunazhit dhe armëmbajtje pa leje.

Seanca dëgjimore nis në orën 13:00 për shqyrtimin e kërkesës për paraburgim.

Kërkesa e prokurorit Bekim Kodraliu, e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, bazohet në dyshimin se Jevtiq, deri në ditën e arrestimit, ishte i rekrutuar nga Shërbimi Sekret Serb (BIA), iu ka ofruar atyre informata të ndjeshme për institucionet e sigurisë në Kosovë, përfshirë lëvizjet dhe planet operacionale të Policisë.

Në kërkesën e Prokurorisë, thuhet se Jevqit e ka dërguar te BIA planin e Policisë së Kosovës i quajtur “Shënjestër” i hartuar pas sulmit në Banjskë dhe të njëjtin dokument ia ka komunikuar zyrtarit të BIA-së, Sasha Çiric i njohur me nofkën “Çira”.

Jevtiq dyshohet po ashtu se zyrtarit të BIA-s ia ka mundësuar qasjen në kompjuterin zyrtar, duke rrezikuar policët, sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shtëpi i janë gjetur edhe armë përfshirë një revole e tipit “Zastava” dhe 90 fishekë.

Në kërkesë thuhet se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar pajisje elektronike, dokumente konfidenciale, armë, municion dhe shuma parash të padeklaruara: 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë dhe 600 franga zvicerane.

Sipas dokumentit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dyshimet ndaj Jevtiqit bazohen në kallëzimin penal të IPK-së, raportet mbi masat e veçanta hetimore, si dhe provat materiale të sekuestruara në shtëpinë e tij. Aty janë gjetur dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, plane operative, telefona të mençur, pajisje elektronike (USB, kompjuter), si dhe një CD me mbishkrimin “Ero W7X31” për eliminimin e fjalëkalimeve.

Aty përmenden raportet e AKI-së dhe dëshmitë e zyrtarëve të BIA-s serbe me të cilët Jevtiq dyshohet se kishte komunikuar.

Prokuroria argumenton se ekziston rrezik real për arratisje, ndikim në dëshmitarë, shkatërrim të provave dhe përsëritje të veprës penale. Sipas saj, asnjë masë tjetër përveç paraburgimit nuk do të garantonte rrjedhën e rregullt të procedurës.

Ndaj Jevtiqit, i cili ishte shef i operativës në policinë kufitare në pikëkalimin “Dheu i Bardhë”, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin.

Një ditë më parë, Prokuroria njoftoi për arrestimin e Jevtiqit pas një operacioni të zhvilluar bashkë me Inspektoratin Policor dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *