“Kemi me i bë tokë të zezë”, Deliu i reagon Konjufcës: Kjo është fytyra e vërtetë e VV-së!
Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj një deklarate që i atribuohet ish-kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
Sipas Deliut, Konjufca, vetëm pak ditë pasi ishte shfaqur me ton të butë dhe me thirrje për reflektim politik në emisionin “Pressing”, sot thuhet se i është drejtuar një qytetari me fjalët “kemi me i bë tokë të zezë”, duke iu referuar opozitës.
Në një postim në Facebook, Deliu e ka cilësuar këtë si fytyrën e vërtetë të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti përdor një gjuhë për ekranet televizive dhe një tjetër për qytetarët.
“Glauk Konjufca para pak ditësh në “Pressing” doli me ton të butë, me fjalë për reflektim dhe me qasje të re politike. Sot, i paska thënë një qytetari se “kemi me i bë tokë të zezë”.
Kjo është fytyra e vërtetë e pushtetit të VV-së: një gjuhë për televizion, një tjetër për qytetarët. Këta nuk kanë reflektuar, vetëm kanë ndryshuar skenën”, shkroi Deliu.
