Kërkesat për shtrenjtimin e rrymës, reagon Bajrami: Mos i harroni premtimet e Kurtit për ulje të çmimit para se të vinte në pushtet
Hykmete Bajrami e LDK-së ka reaguar pas kërkesës së fundit nga KESCO për rritje të çmimit të energjisë elektrike me mbi 20%, duke thënë se këto para të qytetarëve për rrymën përfundojnë në xhepa të “mafisë energjetike”.
“E kam thënë edhe më herë, po e përsëris prapë se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë, pjesë e mafisë energjetike, bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve”.
Përveç kërkesës së KESCO dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, rritje për vitin 2026 kanë kërkuar edhe dy operatorët tjerë, KOSTT dhe KEDS.
Këtë e vuri në pah Bajrami, duke përsëritur një deklaratë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, sa ishte në opozitë për çmimin e shtrenjtë të rrymës.
“Kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë nuk është as e vetmja e as definitive, pasi rritje çmimi sigurt kanë kërkuar edhe operatorët e tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK. Sido që të jetë, mos e harroni kurrë premtimin e Albin Kurtit para se të vinte në pushtet, kur thoshte ”do ta lirojmë energjinë se është tepër e shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji”. Një gjë tjetër duhet ta kemi parasysh se sa herë që flitet për rritje të çmimit të energjisë, rriten çmimet e të gjitha artikujve. Pra, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ”.
Bajrami shtoi gjithashtu se shtesat e dhëna nga qeveria në kohë fushate nënkuptojnë varfërim të qytetarëve.
“Dhe në fund mos harroni se 100 Euro në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, shtesat për fëmijë, shtesat për të moshuar dhe studentë janë pasojë e varfërimit të qytetarëve, jo rezultat i zhvillimit ekonomik. Ka ardhur koha që secili qytetar i këtij vendi të dalë kundër çdo vendimi të padrejtë të institucioneve publike dhe qeverisë”, tha ajo.
