LAJMET

Kica Xhelili: ‘Hipokrizia po shitet lirë, por Kosova do ta paguajë shtrenjtë’

Deputetja e LDK, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ajo e quan sabotim të qëllimshëm të procedurave parlamentare nga një grup deputetësh brenda Kuvendit.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka denoncuar përçarjen e skajshme institucionale dhe ka ngritur alarmin për cenimin e rendit kushtetues.

“Në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë dy grupe deputetësh”, thotë Kica.

“Njëri grup INSISTON të votojë sipas Kushtetutës – për, kundër ose abstenim për Kryetar të Kuvendit. Grupi tjetër bllokon me çdo mjet – imponon komisione të fshehta jashtë çdo procedure ose ndërpret seanca pa rregull”.

Ajo thotë se VV nuk kanë më as hijen më të turbullt të ndershmërisë, por shtiren si të tillë në publik për të fituar mbështetje.

“Shoqëria jonë, duke blerë lirë hipokrizinë, do ta paguajë shtrenjtë rrënimin e rendit kushtetues, e me të – Kosovën,” paralajmëron ajo.

Reagimi i plotë:

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, janë dy grupe deputetësh:

Njëri grup INSISTON t’i mundësohet votimi për/kundër/abstenim për Kryetar të Kuvendit sipas Kushtetutës dhe praktikës parlamentare; dhe Grupi i dytë, i cili me çdo mjet ia pamundëson grupit të parë që të votojë; herë duke imponuar votim për komision të fshehtë jashtë çdo procedure, e herë duke ndërprerë seancën pa asnjë rregull.

Grupi i dytë, pas çdo seance kërkon që grupit të parë t’i merret mandati. Pra jo këtyre që sabotojnë procesin, por atyre që insistojnë në ligjshmëri.

Se VV janë hipokritë s’do diskutim. Por këta janë epitoma e thënies së François de La Rochefoucauld, kur thotë që “Hipokrizia është nderimi që veset ia bëjnë virtytit”.

Të vetëdijshëm se nuk e kanë as hijen më të turbullt të ndershmërisë, sigurohen që sa herë e hapin gojën, të shtirren të tillë – se mos rasisht, populli e blen “lirë”, si herën e kaluar.

E kjo shoqëri, duke blerë lirë hipokrizinë, do t’a paguaj shtrenjtë rrënimin e rendit kushtetues, e Kosovës bashkë me të.

M’a lejoni optimizmin qoftë dhe naiv të besoj se jemi këndellur.

Doarsa R. Kica

https://www.facebook.com/share/p/163Di6Jp32/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *