LAJMET

Kosova, pjesë e operacionit ndërkombëtar kundër krimit kibernetik – arrestohen tre persona

Një operacion kundër krimit kibernetik, i koordinuar nga EUROPOL, në të cilin kanë marrë pjesë disa shtete të botës, përfshirë Kosovën, në vendin tonë ka rezultuar me arrestimin e tre personave.

 

Siç njofton Policia e Kosovës, operacioni është zhvilluar të martën më 3 mars 2026, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në tri lokacione: Vushtrri, Obiliq dhe Ferizaj.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë ndaluar për 48 orë personat: A.R., A.K. dhe R.H., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Hyrja e paautorizuar në sistem kompjuterik’ dhe ‘Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’”.

“Sipas hetimeve, të dyshuarit, gjatë periudhës 2023–2025 duke shfrytëzuar njohuritë e tyre teknologjike dhe duke vepruar nën nofka dhe emra të rremë, kanë siguruar në mënyra të kundërligjshme të dhëna personale, financiare dhe kredenciale. Këto të dhëna më pas janë publikuar në platformën online “LEAKBASE.IO”, me qëllim shitjen dhe përfitimin material, si dhe duke u mundësuar personave të paautorizuar përdorimin e tyre për qëllime kriminale”, tha Policia në njoftimin e tyre.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 kompjuterë llaptop, 5 shtëpiza kompjuteri, 6 telefona mobilë dhe 2 pajisje memorizuese.

Ky operacion është pjesë e një operacioni ndërkombëtar policor (OP LEAK), i cili është zhvilluar në mënyrë të koordinuar dhe të njëkohshme në këto shtete: SHBA, Britani e Madhe, Australi, Gjermani, Kosovë, Rumani, Poloni, Portugali, Kanada, Malajzi, Greqi, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.

/ Vendisot.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *