Kur mbijetesa varet nga institucionet, familja në Llukar në gjendje të rëndë
Në Llukar të Prishtinës, një nënë e ve kujdeset për djalin e saj me sindromën Down, i cili është në gjendje të rënduar.
Dy muajt e fundit ajo nuk ka marrë ndihmën nga Komuna e Prishtinës duke ia vështirësuar kështu edhe më shumë jetën. TV Dukagjini sjell rrëfimin e saj dhe nevojën për mbështetje financiare të cilën komuna thotë se nuk mund ta bëjë aktualisht duke qenë se nuk e ka të miratuar buxhetin e këtij viti.
Djalin e ka të rritur por për të kujdeset sikurse të ishte i porsalindur.Ai ecën por nuk e di se ku shkon, e ushqimin duhet servuar me kujdesë meqë nuk i dallon ato të ndaluara.
Ky është Riadi, i diagnostifikuar që nga lindja me sindromën Down, i biri i Fahrije Krasniqit, e ve prej vitesh.
Në një shtëpi në Llukar të Prishtinës, Fahrije Krasniqi ka marrë rolin e kryefamiljares e si e tillë, po përballet me kushte të rënda ekonomike e pa mbështetje institucionale.
Ajo dhe tre fëmijët e saj kanë një çati për të kaluar natën por kushtet janë të rënda e asgjë s’mbetet më vështirë se kujdesja për të birin.
“Çdo nanë që e ka fëmijën me Sindrom Down e din ç’ka është me kqyr, s’ka asgjë më të vështirë se duhet me iu ndejt në këmbë, duhet me kqyr se tutna po e gjen najsen tash vera. Është vështirë me rujt se po merr po pinë çka po gjen, zbutës të teshave, ujë të xhamave, edhe ngjitës më ka pirë”, ka theksuar Fahrije Krasniqi, nëna e djalit me Sindromën Down.
Muajt e fundit, Krasniqit i është ndërprerë ndihma që merrte për djalin nga komuna e Prishtinës, shumë që për të dhe familjen mbetet esenciale për mbijetesë.“M’kish ndihmu me vazhdu ndihma e komunës shumë se 100 euro që i marrë për djalë dhe 100 euro social, kurgjo. Veç me vdek uni, a me ble harq a pampersa për djalë, vet jam smut. Dita ditës po bohna marak për këta fëmijë që kam me i lanë. S’po dalin këto pare. Ajo ndihmë kish nimu shumë se vet smut, edhe djalin qeshtu. M’kish ndihmu shumë. U bë shtirë, senet po janë shtrenjtë”, ka theksuar ajo.
Po barnat e elementet higjenike, nuk mbeten sfida e vetme e saj.“Për ushqim boll, veç çka të mujmë me ble diçka lehtë. Jogurt, kos, vo nëse mujmë me marr, nëse jo e blej një kuti djathtë të vogël, e përzij diqysh ua bëj long fëmijëve. Unë po tutna që është vera, që me dal gjarprinjt, na mysin mu e fëmijët. Ju kisha lut krejtve, brenda dhe jashtë Kosovës, të më ndihmojnë për fëmijë, me rroba, s’kam me çka t’i blejë. Për gjithçka, ka deklaruar Krasniqi.
Komuna e Prishtinës, të pyetur në lidhje me ndërprerjen e ndihmës financiare për këtë rast u përgjigjën se pamundësitë e pageve, lidhen me mosalokimin e buxhetit për vitin 2025.
“Çdo pamundësi pagese ndërlidhet me mosalokimin e buxhetit të vitit 2025, ka theksuar Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës.
Komuna e Prishtinës kishte paralajmëruar se ndihmat për kategoritë e ndryshme ishin në rrezik për t’u ndërprerë nga ajo që ata e konsiderojnë si bllokimit të buxhetit nga Qeveria në detyrë e Kosovës.
Në polemikat publike me nivelin qendror, këta të fundit kanë fajësuar zyrtarët komunal për moskalimin me kohë të buxhetit, çka e ka pamundësuar përfshirjen në Ligjin për Buxhet, e i cili aktualisht nuk mund të ndryshohet pasi që nuk ka Kuvend të Konstituuar.
Në këtë mes, mbeten raste si ai i Fahrihjes dhe familjes së saj, në pritje të një dorë që ia lehtëson barrën e një sistem që nuk i lë vetëm.