LAJMET

“Kur zgjohet shqiptaria, s’ka kush që e ndal”, mërgata drejt Hagës për drejtësi më 14 shtator

Kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestohet jashtë kufijve. Të dielën e 14 shtatorit, në Hagë do të zbarkojnë mërgimtarët nga Evropa, Australia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të këtij organizimi. Holandezët lejen e kanë dhënë, por që vendi i tubimit akoma nuk dihet, raporton Klankosova.tv

Thirrje për t’u bërë bashkë në emër të padrejtësive ka bërë  kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe një numër i madh i qytetarëve në Kosovë, rajon e diasporë kanë shprehur interesim për të marrë pjesë krah për krah me organizatorin kryesor, Fatmir Koci nga Gjermania.

Klankosova.tv ka pyetur lexuesit nëse do të marrim pjesë në protestën që u paralajmërua të jetë e ngjashme si ajo e 7 shtatorit në Prishtinë – masive.

Gatishmëria është treguar pa dilema, e madje njëri prej tyre është përgjigjur në këtë pyetje se “Gjithë [do të marr pjesë], edhe tjetër kontinent po të ishte Holanda”.

Përkrahjen morale përmes kësaj proteste kundër padrejtësive, një qytetar tha se ka ardhë koha ta bëjnë për ata që e nisën luftën dhe u bënë aleatë me NATO-n.

“Tash është koha që të paktën moralisht t’i mbështesim ata që e nisën luftën dhe e bonën aleat NATO-n në Rambuje. Kur zgjohet shqiptaria s’ka kush që i ndalë. Patjetër do marr pjesë”.

Në mesin e rreth 2 mijë komenteve, kishte të atillë që konsiderojnë që shtetësia është në rrezik, prandaj duhet mbështetje për ushtrinë “më të pastër në botë”.

“Patjetër, shtetësia jonë në rrezik, UÇK është ushtria më e pastërt në botë, nuk lejojmë të krahasohet me terroristët shk*e”.

Një qytetar, edhe pse vetë nuk mund të jetë i pranishëm, tha se familja e tij do të marrë pjesë.

“Unë nuk mundem. Por fëmijët, nipërit e mi që janë jashtë Shqipërisë aty do jenë. Aty në përkrahje ë Hashimit, prof Jakupit, Kadriut e Rexhepit.”

Pjesëmarrjen në këtë protestë të jashtëzakonshme një tjetër e cilësoi si detyrim kombëtar: “detyrë e të gjithë atyre që kanë mundësi për çlirimtarët tanë.”

E dikush tjetër është shprehur i gatshëm që krejt rrugën drejt Hagës ta bëjë edhe në këmbë, vetëm për të protestuar për ish krerët e UÇK-së që luftuan.

“Në këmbë shkoj vetëm për këta burra të shtetit, që kur ka qenë koha, këta trima kanë dalë dhe nuk janë fshehur. Gjithmonë me UÇK-në, deri në vdekje, patjetër do të jem aty me 14 shtator.”

Beteja e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit u cilësua edhe mbrojtje e sovranitetit të vendit tonë.

“Do dalim në mbrojtje të atyre që na çliruan vendin. Edhe sot, tash e 5 vjet po e mbrojnë sovranitetin e Kosovës në Hagë. “

Në protestën në fillim të këtij muaji, organizatorët dhe folësit e tjerë kërkuan që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagë të ketë “drejtësi dhe jopadrejtësi”.

Gjykata Speciale u akuzua se është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga “pushtuesit te çlirimtarët”, e po ashtu u tha se drejtësia selektive prodhon padrejtësi.

Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Qëndrimi për pesë vjet prapa grilave shpesh është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut nga veteranët në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *