Kurti ngushëllon familjen Latifi pasi trupi i 33-vjeçarit u gjet në Ujman
Pasditen e sotme, trupi i pajetë i 33-vjeçarit Rrahim Latifi u gjet në Ujman nga ekipet për kërkim-shpëtim të FSK-së.
Për këtë rast, ngushëllime ka shprehur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Familjes Latifi i shprehim ngushëllimet më të përzemërta dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira për të ofruar gjithë mbështetjen tonë e për të ndarë me ta dhimbjen e madhe”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndër të tjera, ai falënderoi Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes “Trepça” dhe KFOR-in për, siç tha, punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në gjetjen e trupit të pajetë të Rrahim Latifit në liqenin e Ujmanit.
Latifi kërceu nga ura e Ujmanit më 27 korrik, nga ku u zhduk deri në orët e sotme të pasdites, kur u gjet i pa jetë.