Kurti përkujton viktimat e spastrimin nga “Rojat e Urës”, s’e përmend Oliver Ivanoviqin që dikur e quante lider të grupit e së fundi i thuri lavde
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar lidhur me ngjarjen tragjike të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 kur në Mitrovicë ishin vrarë dhe plagosur dhjetëra qytetarë. Kurti shkruan se kjo ishte bërë nga shteti i Serbisë përmes policisë dhe grupit paraushtarak e kriminal “Rojet e Urës”.
“26 vite më parë, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, shteti i Serbisë përmes policisë dhe grupit paraushtarak kriminal “Rojet e urës”, kreu spastrim etnik në zonën veriore të qytetit të Mitrovicës nga banorët shqiptarë vendas. Nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, atë natë, mijëra shqiptarë u dëbuan dhunshëm prej shtëpive të tyre për në jug të lumit Ibër.Gjatë këtij aksioni kriminal të drejtuar nga Serbia, u vranë dhjetë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë, qytetarë të Mitrovicës. Sot, 26 vite më pas, i kujtojmë me dhimbje dhe me nderime të vrarët e asaj nate: Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi. Ata ishin nga 13 vjeç më i riu, deri 65 vjeç më i moshuari”, ka shkruar Kurti.
