LAJMET

Kurti takohet me zyrtarin e lartë të DASH, flasin për zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Kryeministri kurti theksoi se ‘Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre’.

“Në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi sonte një darkë pune me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, darkë kjo e shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Bashkë me kryeministrin Kurti, ishin ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje z. Hanrahan në Kosovë, teksa theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. Gjithashtu, shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe kritike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës” thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Në njoftim thuhet se zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë, ishin po ashtu pjesë e diskutimit.

“Gjatë darkës, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në fushën e investimeve, të diplomacisë e të mbrojtjes, si dhe progresin e Republikës së Kosovës në integrimin e saj euro-atlantik. Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për thellimin dhe forcimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe. Zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë, ishin po ashtu pjesë e diskutimit në takim”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *