LDK-ja mban takimin para zgjedhjeve lokale, ndihen të unifikuar dhe energjikë për fitore
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen me kryetarët e degëve, ku u fol për hapat para zgjedhjeve lokale.
“Nën udhëheqjen e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u mbajt mbledhja me kryetarët e degëve, ku u definuan hapat e rëndësishëm përpara për fitoren tonë të madhe”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.
“Në këtë takim u diskutua hapja zyrtare e Fushatës Zgjedhore, e cila mbahet më 13 shtator, si dhe organizimi i plotë zgjedhor i LDK-së në mbarë vendin”.
Kjo parti tha se është e përgatitur për secilën komunë dhe se uniteti i treguar sot dëshmon gatishmërinë e tyre për triumf.
“LDK hyn në këtë garë e përgatitur në çdo komunë, me program të qartë e realist, duke ofruar zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve dhe një vizion të pastër për të ardhmen e Kosovës. Me këta kandidatë ne ofrojmë udhëheqje të patër, të drejtë dhe të përgjegjshme. Para së gjithash ky rrugëtim është përtej një gare zgjedhore, është një betejë për të ardhmen e Kosovës!”
“Energjia, uniteti dhe përkushtimi i sotëm dëshmojnë se LDK është gati për fitore, gati për t’i dhënë Kosovës udhëheqjen që meriton!”.