Limaj: Kërkoj veprime për rikthim urgjent të besimit dhe forcim të partneritetit me ShBA-në
Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vetëm çështje politike, ato janë amaneti i brezit që I solli Kosovës lirinë dhe shtetin.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se pezullimi i Dialogut Strategjik nga ShBA-ja është një nga goditjet më të rënda që ka përjetuar Kosova në këto 25 vite.
“Ky është sinjal i qartë se besimi me aleatin tonë jetik është cenuar, dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve. Kosova nuk e ka luksin të humbasë Amerikën”.
“Aleanca me SHBA-në është themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë. Çdo veprim apo qasje që e dëmton këtë marrëdhënie është veprim kundër interesit kombëtar”, ka thënë Limaj.
Limaj ka kërkuar veprime urgjente që të rregullohen marrëdhëniet me shtetin amerikan.
“Sot është moment reflektimi për institucionet e vendit: duhet kthim në rrugën e bashkëpunimit, transparencës dhe përgjegjësisë. Kërkoj veprime për rikthim urgjent të besimit dhe forcim të partneritetit me SHBA, sepse vetëm krah për krah me aleatët tanë euro-atlantikë mund të garantojmë një të ardhme të sigurt për Kosovën. Ky është detyrim ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj sakrificës së brezit që na solli lirinë”, theksoi Limaj.