“LVV po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues”
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për dështimin e vazhdueshëm të sigurimit të votave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, duke theksuar se LVV ka tentuar pa sukses 34 herë për formimin e komisionit për votim të fshehtë.
Ajo ka theksuar se Gjykata Kushtetuese ka sqaruar qartë se deputetët janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre, dhe se LVV, përmes dështimeve të përsëritura, po çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues.
Bajrami ka paralajmëruar se pasojat do të jenë të rënda për të gjithë, dhe ka ngarkuar LVV-në me përgjegjësinë e situatës.
Postimi i Bajramit:
LVV po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues
Në gjashtë seanca të hapura, Albulena Haxhiu ka dështuar të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit. Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar në 34 tentativa për të formuar komisionin për votim të fshehtë.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar qartë se deputetët janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre e jo sipas direktivave të Albin Kurtit. Me 34 votime të dështuara, deputetët e kanë treguar hapur se janë kundër formimit të komisionit për votim të fshehtë, rrjedhimisht, kundër zgjedhjes së Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.
Vetëvendosje mund ta përsërisë këtë skenar edhe dhjetë herë të tjera, por pyetja është: Çfarë arrihet me këto përpjekje të dështuara?
E gjithë kjo qasje po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues, dhe kur kjo të ndodhë, pasojat do të jenë shumë më të rënda për të gjithë. Për këtë situatë, përgjegjësia bie plotësisht mbi LVV-në.
https://www.facebook.com/share/p/16s55VJMMf/