LAJMET

“Ma mirë të më kishin vrarë, sesa të jetoja me këtë dhimbje” – Dëshmia tronditëse e një të mbijetuare të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Në emisionin “Debat Plus”, në ciklin e veçantë “Heshtja që vret – Klithma e të vërtetëve të luftës”, një grua e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ndau për herë të parë për publikun rrëfimin e saj rrëqethës.

Ajo tregoi se ishte dëbuar me forcë nga shtëpia, ishte rrethuar nga forcat serbe dhe më pas pas përdhunimit të përjetuar ishte detyruar të largohej nga vendi.

“Forcat serbe na rrethuan krejt. Nuk guxonim të flisnim. Burrat i ndanë, disa i vranë, pavarësisht se u dhanë para. Ne gratë na futën në dhoma, ku na përdhunuan, dhunuan dhe na torturuan gjatë gjithë natës. Na jepnin të pinim diçka të bardhë, nuk e dimë çfarë ishte, por më pas nuk mbajmë mend asgjë, veç britmat dhe tmerrin. Kur u zgjova në mëngjes isha e zhveshur, e lënduar, nuk e ndjeja më trupin tim si të imi”.

Ajo kujtoi gjithashtu sesi një vajzë 15-vjeçare ishte përpjekur të mbrohej, por i ishin prerë gishtat.

“Edhe unë u përpoqa të mbrohesha, por ishte e kotë. Nuk kishe si të mbroheshe. Na fusnin nga tri a katër veta në dhoma. Nuk dinim më as kush ishim”.

Gruaja tregoi më tej se pas kësaj përvoje të tmerrshme, ishte futur në kolonën e refugjatëve dhe ishte dërguar në kampin e Çegranit në Maqedoni, ku qëndroi për më shumë se dy muaj bashkë me vjehrrën dhe të afërmit. Por dhimbja më e madhe e saj nuk ishte vetëm trauma e dhunës, por edhe përbuzja që përjetoi më pas nga djali i saj.

“Djali i vogël nuk më do. Më tha: ‘Pse nuk pranove të vriteshe?’ Nuk arrin të kuptojë çfarë më ka ndodhur. Që kur jam kthyer në shtëpi, më ka refuzuar. Ashtu më tha: ‘Nuk ke çfarë kërkon këtu, shko ku të duash’”.

Rrëfimi zgjerohet edhe më tej, ku tregon se edhe nusja e saj, reja, e cila kishte qenë viktimë e dhunës në të njëjtën dhomë me të, nuk ishte mirëpritur nga bashkëshorti i saj.

“Edhe ajo është përbuzur. Djali im i madh është ndarë nga unë. As njërin as tjetrin nuk i kam më afër”.

Gruaja thotë se e kalon pjesën më të madhe të ditës e mbyllur në dhomën e saj, e izoluar, për shkak të përbuzjes dhe dhembjes që ndjen çdo ditë.

“Fëmijët e vegjël më duan, më thërrasin gjyshe. Por ai që duhet të më përkrahë, djali, nuk më afrohet. I kam thënë se do të kërkoj një banesë të vogël, një dhomë me banjo, që të kem pak qetësi. Më tha: ‘Shko e mos u kthe më kurrë!’”.

Rrëfimi i saj është dëshmi e fortë e pasojave të luftës që ende rëndojnë mbi shpatullat e viktimave të dhunës seksuale, të cilat përveç traumës fizike dhe psikologjike, përballen edhe me stigma dhe përjashtim nga familja e shoqëria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *