LAJMET

Maqedonci i reagon Gashiqit që hodhi akuza për ‘spastrim etnik’- Deklaratë në frymën e Vuçiqit dhe idolit të tyre Millosheviq

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, thotë se “deklarata e Ministrit serb të Mbrojtjes, Gashiq, se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe institucionet tona po “sajojnë luftën kundër krimit për qëllime terrori dhe spastrimi etnik”, është një deklaratë në frymën e shefit të tij, Aleksandër Vuçiq, dhe idolit të tyre të përbashkët ideologjik, kryekriminelit Sllobodan Millosheviq”.

Maqedonci thotë se “kur flasim për krimin dhe destabilizimin, i kujtojmë Ministrit Gashiq se politika shtetërore e Serbisë mbetet gjeneratorja dhe mbështetësja më e madhe dhe më e rrezikshme e destabilizimit dhe krimit në Ballkanin Perëndimor”.

Reagimi i plotë:

Deklarata e Ministrit serb të Mbrojtjes, Gashiq, se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe institucionet tona po “sajojnë luftën kundër krimit për qëllime terrori dhe spastrimi etnik”, është një deklaratë në frymën e shefit të tij, Aleksandër Vuçiq, dhe idolit të tyre të përbashkët ideologjik, kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.

Kur flasim për krimin dhe destabilizimin, i kujtojmë Ministrit Gashiq se politika shtetërore e Serbisë mbetet gjeneratorja dhe mbështetësja më e madhe dhe më e rrezikshme e destabilizimit dhe krimit në Ballkanin Perëndimor. Përmes një lufte hibride — që përfshin kërcënimin konvencional përmes militarizimit të zonave përreth Kosovës, mbështetjen dhe strehimin e grupeve terroriste të udhëhequra nga krimineli Millan Radoiçiq, fushatave të dezinformimit dhe lajmeve të rreme, luftës diplomatike dhe sponsorizimit të akteve të sabotazhit — strukturat politike dhe të sigurisë në Serbi synojnë destabilizimin e qëllimshëm të Republikës së Kosovës, si dhe minimin e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së saj.

Kjo fushatë kundër shtetit tonë është ashpërsuar dukshëm si pasojë e sukseseve të prekshme të Qeverisë dhe institucioneve të udhëhequra nga Kryeministri Albin Kurti, në vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës, forcimin e administratës dhe rregullësisë shtetërore, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe jetës së çdo qytetari, pa dallim.

Ndërkohë që në Serbi përgatisin parada madhështore ushtarake për të frikësuar fqinjët, është kulmi i hipokrizisë të akuzojnë të tjerët për veprime tërësisht të ligjshme brenda kufijve të shtetit të tyre. Sa për pretendimin e rremë se Qeveria e Kosovës po ndjek politika kundër komuniteteve jo-shqiptare, është pikërisht Kryeministri Kurti dhe Qeveria aktuale që po gëzojnë mbështetje të gjerë dhe të qëndrueshme nga komunitetet jo-shumicë, përfshirë edhe komunitetin serb. Kjo falë politikave të drejta që bazohen në drejtësi dhe barazi – në kontrast me qasjen shtetërore të Serbisë që vazhdon të ndjekë politika përjashtuese dhe diskriminuese ndaj komuniteteve jo-serbe në Serbi, sidomos ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Për një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Evropën Juglindore, janë dy masa thelbësore: së pari, de-hegjemonizimi i politikës serbe, e cila ende sillet me logjikën e dominimit ndaj fqinjëve; dhe së dyti, dekriminalizimi i ushtrisë serbe, e cila në pozitat më të larta vazhdon të ketë komandantë të përfshirë në krime gjatë luftërave të viteve ’90. Kjo përfshin edhe Shefin aktual të Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, Gjeneral Mojsiloviq, i cili gjatë luftës në Kosovë ka komanduar operacionet ushtarake serbe në regjionin e Ferizajt. Dekriminalizimi i ushtrisë serbe është i domosdoshëm, sepse përderisa për Serbinë e Millosheviqit lufta ishte zgjedhje, për popujt tjerë të ish-Jugosllavisë ajo ishte një detyrim mbijetese.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të ecë me vendosmëri në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike. Qeveria dhe institucionet tona nuk do të zmbrapsen përballë asnjë kërcënimi apo presioni, dhe do të qëndrojnë të palëkundura në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të vendit, në ruajtje të rendit dhe ligjit, dhe në promovimin e vlerave demokratike.

https://www.facebook.com/ejup.maqedonci1/posts/122264120288011792?ref=embed_post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *