LAJMET

Maqedonci merr pjesë në paradën kroate që shënoi 30 vjetorin e operacionit “Stuhia”: Kosova dhe Kroacia kontribojnë për paqe në rajon

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në paradën e ushtrisë kroate, në rastin e shënimit 30 vjetorit të “operacionit Stuhia”.

Ky operacion i ushtrisë kroate ishe vendimtar në çlirimin e Kroacisë.

Maqedonci tha se në këtë operacion morën pjesë edhe shumë shqiptarë – duke kontribuar në çlirimin e Kroacisë.

Tutje, ka thënë se sot – dy shtetet, Kosova dhe Kroacia kontribojnë për paqe në rajon.

“Në paradën e ushtrisë kroate, për të shënuar 30 vjetorin e Operacionit “Stuhia” (“Oluja”), vendimtar për çlirimin e Kroacisë. I ftuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, z. Ivan Anušić, me nderime e ndoqa këtë parakalim të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë, më i madhi i tillë i ushtrisë kroate që nga pavarësimi i Kroacisë më 25 qershor 1991. Operacioni “Stuhia” (Operacija Oluja), ishte një operacion i ushtrisë kroate (HV) i zhvilluar nga 4 deri më 7 gusht të vitit 1995, kundër trupave të kuazi-shtetit të vetëshpallur, Republikës Serbe të Krajinës. I pasuar me luftime deri më 14 gusht, Operacioni “Stuhia” ishte vendimtar në Luftën Kroate për Pavarësi (1991 – 1995)”, ka thënë ai.

“Shumë shqiptarë ishin pjesë e këtij operacioni dhe luftuan krah për krah me ushtarët kroatë, duke i kontribuar çlirimit të popullit kroat dhe pavarësimit të Kroacisë nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia. Luftërat në Jugosllavi gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, e kanë përafruar popullin shqiptar me popullin kroat, përballë politikave hegjemoniste dhe kriminale të Serbisë. Kosova dhe Kroacia janë dy shtete aleate që angazhohen për paqe në rajon, sepse shqiptarët dhe kroatët janë dy popuj miq, që besojnë te demokracia dhe fqinjësia e mirë. Ne nuk e harrojmë të kaluarën, andaj do të angazhohemi së bashku që ajo të mos përsëritet”, ka thënë Maqedonci.

https://www.facebook.com/ejup.maqedonci1/posts/122265359726011792?ref=embed_post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *