LAJMET

Masa e Kushtetueses, LDK akuzon VV-në për veprime jo të logjikshme

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Kuvendit të Kosovës deri më 30 shtator, duke e cilësuar situatën si pasojë të veprimeve “të paarsyeshme dhe jologjike” të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një reagimi në Facebook, LDK-ja shprehet se ky bllokim institucional po pengon procesin e formimit të institucioneve dhe po dëmton rëndë besimin e qytetarëve në sistemin demokratik.

“Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë me masë të përkohshme për të adresuar situatën, duke treguar se kriza aktuale nuk është pasojë e dispozitave kushtetuese, por e keqpërdorimit politik të procedurave nga Vetëvendosje”, thuhet në deklaratën e partisë.

Tutje Lidhja Demokratike e Kosovës e quan ngërçin politik “të paarsyeshëm” dhe akuzon Vetëvendosjen për mungesë të gatishmërisë për dialog dhe kompromis, duke vënë, sipas saj, interesin partiak mbi interesin shtetëror.

“LDK thekson se ky bllokim nuk ka asnjë justifikim politik apo institucional”.

“Ai është rezultat i mungesës së gatishmërisë së Vetëvendosjes për dialog dhe kompromis, si dhe i qasjes së saj destruktive që vë interesin partiak mbi interesin e përgjithshëm shtetëror.

LDK vazhmisht ka qenë konsistente dhe thirrjet tona në çdo etapë, që nga që nga Komisioni Verifikues i Mandateve e deri më sot janë në frymë të demokracisë, kushyetueshmërisë dhe logjikën shtetare të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës bën thirrje që të respektohen Kushtetuta, ligjet dhe fryma e demokracisë parlamentare. Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të konstituohet dhe të funksionojë menjëherë, në mënyrë që vendi të ketë institucione të qëndrueshme dhe legjitime, në shërbim të qytetarëve dhe të së ardhmes euroatlantike të vendit tonë.

LDK mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi institucionale dhe të angazhohet për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkruhet në komunikatën e LDK-së.

https://www.facebook.com/share/p/16VVTFv6Pw/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *