Masakra e vitit 1999 – Arrestohet Ramadan Morina; deklarohet djali i viktimës
Gazetare: Mihane Hoxha
Pas 26 vjetësh, një hap drejt drejtësisë
Për herë të parë pas më shumë se dy dekadash, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për zbardhjen e Masakrës së Burimit të Malishevës.
Më 12 gusht të këtij viti, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale kanë arrestuar Ramadan Morinën, si i dyshuar për këtë krim të rëndë të vitit 1999. Ky veprim përfaqëson një kthesë të vonuar, por të shumëpritur për familjarët e viktimave.
Për ta, ky nuk është thjesht një proces gjyqësor – është një plagë që rihapet, por njëkohësisht edhe një shpresë që më në fund, përgjegjësit do të përballen me drejtësinë, raporton Vendisot.info
Çfarë ndodhi në Masakrën e Burimit?
Në fund të marsit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, luftimet kishin filluar të ashpërsoheshin në pjesë të ndryshme të Kosovës, e sidomos në disa fshatra të Malishevës, dhe për këtë popullata civile merrte drejtime të ndryshme për tu strehuar.
Për banorët e fshatrave Astrazup, Dragobil e të disa banorëve të Suharekës, fshati Burim (ish Joviq), konsiderohej më i sigurt për shkak që ishte malor e i thellë, gjithashtu nuk frekuentohej nga forcat serbe, dhe mbi të gjitha kishte një burim uji (‘Vrella e Mëhillit’) me të cilin refugjatët shërbeheshin për nevoja të ndryshme.
Por, kjo ‘siguri’ zgjati pak ditë pasi që ata u zbuluan nga forcat serbe më 31 mars të vitit 1999, të cilët i granatuan e më pas i rrethuan me makineri të rënda.
“Refugjatët u kontrolluan, u plaqkitën duke iu marrë stoli ari e para, ndërkohë i ndanin burrat nga gratë e fëmijët e tyre. Ndërsa, në mes tyre kërkonin të gjenin ndonjë ushtarë të UÇK-së”, thuhet në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare, të publikuar më 30 mars të vitit 2011.
Forcat serbe që disa ishin kamufluar e disa pa maska në ato momente kryen masakrën më të madhe në atë vend (në Burim) dhe njëren nga masakrat më të rënda në Kosovë, për faktin që kjo masakër nuk njihte moshë e as gjini. Pra, në mesin e të vrarëve kishte burra (djemë të ri e pleqë), gra, fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara. Nga 42 të vrarët 34 burra përfshirë edhe të miturin Valon Morina – 16 vjeçarë janë ekzektuar përnjëherë, ndërsa 4 viktima janë djegur (karbonizuar). Një viktimë ende është e pa identifikuar.
Flet djali i viktimës pas arrestimit të Ramadan Morinës: Nuk është vetëm një person fajtor
Agim Paqarizi, i cili humbi babain e tij, Behramin, në këtë masakër, është shprehur i emocionuar dhe njëkohësisht i rezervuar pas arrestimit të Ramadan Morinës.
“Ne, si familje këtë lajm e kemi pritur me emocione të përziera. Arrestimi i tij, është një hap i mirë, sepse ky person mund të ndihmojë në zbulimin e të tjerëve. Pasi, nuk ka qenë vetëm një person që e ka kryer këtë krim”, tha ai për Vendisot.info.
Agimi tregon se emrin e Ramadan Morinës e kishte dëgjuar prej vitesh si, ‘Ramadan taksisti, bashkëpunëtor i Serbisë’. Poashtu, beson se shumë nga kryersit i njihnin viktimat personalisht.
“Dëshmitarët që ishin aty, thonë se viktimat u thirrën me emra e mbiemra. Kryersit serbë (lokal) apo shqiptarë (bashkëpunëtorë të armikut) dyshojmë që kanë qenë të rrethinës së Malishevës dhe Rahovecit. Pasi, viktimat kanë qenë figura të njohura sepse shumica prej tyre kanë punuar në këto rajone si shofer autobusi, në vreshtari, në arsim përfshirë edhe babën tim”.
“Drejtësia u neglizhua qëllimisht”
Agimi, beson se për vite me radhë, kjo masakër është lënë në harresë nga gjykatat ndërkombëtare dhe institucionet vendore.
“Duhej vepruar shumë më herët, sepse dëshmitarët po pakësohen çdo ditë. Edhe institucionet lokale është dashur të bëjnë më shumë që ky rast të marrë vëmendje. Anipse krimi nuk vjetërohet”.
Sipas tij, përpjekjet e prokurorisë kanë qenë të pamjaftueshme dhe shpesh vetëm formale, pa vullnet real për hetim të plotë.
“Vendosni vetë për jetën tuaj” – Biseda e fundit me babën
Agimi, në atë kohë vetëm 16 vjeç, rrëfen si e përjetoi strehimin me qindra bashkëfshatarë të tij dhe refugjatë të vendeve tjera, një ditë para se të ndodhte Masakra e Burimit.
“Te ofensiva e fundit babai im së bashku me vëllezërit e tij (xhaxhallarët e mijë) vendosën që një pjesë e madhe e banorëve të fshatit tonë Dragobil me u strehu në fshatin Burim, dhe një pjesë në fshatin Gurbardh (ish Caravran), këto dy fshatra i konisderonin si zona më të sigurta”, ka thënë ai për Vendisot.info
Kujtimet i ka ende të freskëta sa që kujton një moment të rëndësishëm një ditë para masakrës, ku një burrë i shtyer në moshë iu kishte kërkuar që të zhvendoseshin në fshatin Gurbardh (ish Caravran), për t’iu bashkuar pjesës tjetër të refugjatëve – sa më e madhe të ishte turma, mundësia e masakrës do të ishte më e vogël. Por, më 31 mars, ishte tepër vonë.
“Kur filluan të shtënat, pyeta babën çka të bëjmë unë, vëllai dhe djemt e fisit. Ai më tha: ‘Vendosni vetë. Nuk mund t’ju them çfarë të bëni në këto rrethana’. Ky ishte takimi im i fundit më babën dhe njëherit kjo, ishte hera e fundit që e dëgjova zërin e tij”, rrëfen Agimi.
Kështu që, ai së bashku me disa familjarë të tjerë, arritën të largoheshin natën përmes Dragobilit, për t’u strehuar në Pagarushë, pastaj në Bellanicë, dhe më pas së bashku me refugjatët e tjerë u dëbuan në Shqipëri.
Babai i vrarë, xhaxhai i zhdukur
Në Shqipëri, Agimi, mësoi lajmin se babai i tij ishte një nga viktimat e Masakrës së Burimit. Kurse, për xhaxhain e tij, Dautin, ende nuk ka asnjë informacion.
“Sa herë që dalin lajme për zbulime të varrezave masive, shpresojmë – por për xhaxhain tim nuk kemi asnjë të dhënë”, duke shtuar se, “dyshojmë se janë vrarë, edhepse sot figurojnë të zhdukur. Gjetëm vetëm rrobat e tyre me gjurmë plumbash”, tregon Agimi.
Pra, katër ditë pas Masakrës së Burimit, saktësisht më 4 prill 1999 Dauti, së bashku me Shaqir Paqarizin – pjesëtarë të UÇK-së, ranë në pritë nga forcat serbe në ‘ulëzat’ e Dragobilit.
“E vërteta duhet të dalë në dritë”
Agimi mbetet i vendosur në kërkim për drejtësi, duke theksuar se çdo vonesë është një padrejtësi e re për familjarët dhe viktimat.
“Çdo hap drejt zbardhjes së të vërtetës, është lehtësim për ne. Por drejtësia duhet të vihet në vend – pa kompromise dhe pa vonesa”, përfundon ai.
Kujtojmë se më 14 gusht 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit Ramadan Morinës, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, të kryer më 31 mars 1999 në fshatin Burim të Malishevës. Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për përfshirjen e tij në vrasjen e 34 civilëve, ndërsa masa e paraburgimit është konsideruar e domosdoshme për shkak të rrezikut të arratisjes – pasi i pandehuri posedon shtetësi serbe dhe ka banim të përhershëm në Serbi. Poashtu, edhe për shkak të mundësisë reale që, nëse lihet në liri, ai të ndikojë mbi dëshmitarët e rastit.
