LAJMET

Mbi 3 mijë pako të panumëruara – Gara mes Hadergjonajt, Sadikut e Gashit vazhdon, LDK ‘’vështirë’’ se e humb mandatin e 15

Dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se në Kosovë ende nuk janë sjellur edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ndërsa sa i përket atyre që janë në Kosovë, tashmë janë numëruar të gjitha votat.

Kësisoj, tashmë është bukur e qartë se kush nga kandidatët e ka siguruar ulësen në parlament për legjislaturën e re.

Kjo, me përjashtim të një ulëseje nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti e cila ka fituar 15 mandate. Tek kjo parti, po vazhdon një garë e ngushtë mes tre kandidatëve, Fadil Hadergjonaj, Ermal Sadiku dhe Arben Gashi.

Deri më tani, Gashi mbetet në vendin e 16, mbrapa Sadikut që është i 15 dhe Hadergjonajt që është i 14. Megjithatë, dallimi mes tyre në vota është i vogël.

Hadergjonaj ka 17,665 Vota, Sadiku është me 17,608 Vota, dhe Gashi ka 17,272 Vota. Duke parë dallimin në vota mes tyre, dhe pakot që janë të panumëruara, kjo radhitje edhe mund të ndryshojë.

Kjo garë mes këtyre tre kandidatëve është edhe më interesante për shkak të ndarjes së mandateve. Lidhur me këtë çështje, ka pasur diskutime se nëse LDK’ja mund ta humbasë edhe mandatin e 15, rrjedhimisht të bie në 14, dhe në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje ta marrë atë të 58. Porse, një skenar i tillë është vështirë i mundshëm. Të paktën kështu ka vlerësuar dje Eugen Cakollli nga KDI.

Ky i fundit dje, përmes një postimi ka thënë se duke pas parasysh se kanë mbetur edhe pak vota për tu numëruar, është vështirë që mund të ndodh ndonjë ndryshim në numrin e deputetëve që do të kenë partitë.

Ai dje, në postimin e tij ka shkruar mes tjerash se: ‘’ Që LVV ta fitojë mandatin e 58-të, do të duhej të marrë gati 80% të votave të mbetura (rreth 4,000 nga 5,000), ose LDK të bjerë nën 9% – dy skenarë që, bazuar në trendin e deritanishëm, janë praktikisht pothuajse të pamundura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *