Memli Krasniqi viziton Hashim Thaçin e Kadri Veselin në Hagë: E ndjeva të gjallë bindjen se drejtësia për çlirimtarët tanë po afrohet
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar sërish sot në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët po mbahen në paraburgim prej gati pesë vitesh. Ai tha se procesi ndaj tyre është i tejzgjatur dhe i padrejtë, por se ata mbeten të bindur se “drejtësia për çlirimtarët po afrohet”.
Sipas Krasniqit, Thaçi dhe Veseli mbajnë mbi supe vetëm atë që populli u kërkoi – luftën për liri – dhe kjo nuk është as mëkat, as faj.
“Ata janë mirë, optimistë dhe dërgojnë përshëndetjet më të ngrohta për secilin prej jush”, shkroi ai në Facebook.
Kreu i PDK-së theksoi se dy ish-udhëheqësit janë të lidhur ngushtë me Kosovën, gëzohen për lajmet e mira dhe ndajnë dhimbjen kur vendi përballet me vështirësi, duke besuar në një të ardhme më të ndritur të ndërtuar me punë e vizion.
“Koha do ta nxjerrë të vërtetën në dritë dhe drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë mbi çdo padrejtësi. Në fjalët e Presidentit Thaçi: Dielli do të lind përsëri”, përfundoi Krasniqi.