Afaristi Ragip Mustafa ka ngritur alarmin se pas 1 korrikut Kosova do të pësojë një çrregullim ekonomik si pasojë e liberalizimit të tregut energjetik.
Mustafa tha për RTV21 se nga tregu i hapur energjetik do ta pësojnë më së shumti qytetarët në Kosovë të cilët do të paguajnë çdo produkt më shtrenjtë se që është aktualisht.
“ Këtu nuk po tregohet se rritja nuk do të bëhet veç për bizneset sepse kjo rritje e çmimit të rrymës do t’i prekë të gjithë qytetarët, ata do të paguajnë shportën e konsumit shumë më shtrenjtë se që po paguajnë aktualisht. Çmimet veç se kanë fillu të rriten, si të vjen tash fatura e fundit shembull po e marr edhe në byfe këtu e ke pas një kafe 50 centë tash e paguan 1 euro, pas 1 korrikut rrezikon të shkojë deri në 3 euro e ku mbesin pastaj gjërat e tjera” , tha ai.
Afaristi Mustafa duke folur për përvojën e tij me tregun e hapur energjetik në shtetin e Shqipërisë, tha se atje janë 5 ose 6 kompani të cilat ofrojnë energji elektrike. Ndërsa tha se në Kosovë është instaluar monopol. Mustafa shtoi se tashmë një numër i afaristëve janë duke menduar seriozisht largimin nga Kosova.
“Atje minimum 3 ose 4 vjet është i hapur tregu, por janë disa kompani minimumi 5 ose 6. Ndërsa këtu u kriju monopol dhe një kompani e vetme ta shet rrymën sa të donë. Unë në Shqipëri kam investu dhe do të investojë prape. Edhe tash pas konsultave me 5-6 kolegë deri tash vetëm se kemi fillu të tërhiqemi nga Kosova. Është e vështirë ka pengesa të mëdha edhe veç se i kemi nisë investimet tona në Shqipëri, Greqi, Gjermani.”, tha ai.
Telashe tjetër e madhe për bizneset në Kosovë vazhdon të jetë mungesa e fuqisë punëtore situatë kjo e cila pas liberalizimit të vizave veç se ka shkuar duke u përkeqësuar.