Mustafa: Sikur ta kisha shëndetin, më 7 gusht do të isha në shesh
Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shprehur publikisht mbështetjen për protestën e paralajmëruar nga organizatat e dala nga lufta, e cila do të mbahet më 7 gusht në Prishtinë.
Në një postim në Facebook, Mustafa thekson se është përgjegjësi e të gjithëve të mbrohen vlerat e luftës çlirimtare dhe të kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Është detyrë e gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës dhe të mos lejojmë që historia të rishkruhet me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb, që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka theksuar se pavarësisht dallimeve politike, shteti i Kosovës është ndërtuar mbi dy shtylla kryesore: rezistencën paqësore të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova dhe luftën e armatosur të UÇK-së. Këto, sipas tij, janë vlera të përbashkëta që nuk duhet të relativizohen.
Mustafa ka kujtuar se vetë Kuvendi i Kosovës e ka themeluar Gjykatën Speciale me besim në drejtësinë ndërkombëtare, por ka theksuar se nuk mund të qëndrohet i heshtur kur, sipas tij, historia e Kosovës po rrezikohet të shtrembërohet.
Mustafa ka shtuar se, nëse do ta kishte shëndetin, më 7 gusht do të ishte vetë i pranishëm në shesh për të protestuar në mbrojtje të vlerave të luftës.