LAJMET

Mustafa: Uzurpuesit e institucioneve duhet të kenë punë me ligjin, jo me Kushtetuesen

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se situata e moskonstituimit të Kuvendit tregon mungesën e përgjegjësisë politike të partisë që doli e para në zgjedhjet nacionale, por jo fituese e zgjedhjeve.

Sipas IndeksOnline, Mustafa thotë se qartazi Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për ta zgjedhur kryeparlamentarin, dhe rrjedhimisht as për formimin e qeverisë.

“Sidomos në një situatë kur partia në pushtet s’po përfill elementet bazike të Kushtetutës. Në një situatë normale, më shumë ka vend për ndërhyrje të gjykatave tjera për të sjellë para përgjegjësisë ata që po e shkelin rendin Kushtetues sesa vetë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Mustafa.

Më tej, ai thotë se “uzurpimi i pushtetit është në kundërshtim me Ligjin”.

“Uzurpimi i pozitës së kryesuesit të Kuvendit, duke devijuar rendin e ditës me manipulim të kërkimit të votave për votim të fshehtë e jo për kandidatin e propozuar për kryetar/e ngjan në paradoks kushtetues, ligjor, e të praktikës sonë parlamentare. Ata që abuzojnë me rolin e tyre, do duhej të kenë punë me ligjin, jo me Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta është e qartë, duhet të zbatohet e jo të rishkruhet, ashtu siç ka ndodhur. Kushtetuta njeh shumicën, si rregull të demokracisë”, potencoi Mustafa.

Ish-kryeministri po ashtu pati kritika edhe për opozitën e kaluar, për të cilën tha se nuk mund të shfaqë një sjellje ku s’e do as veten por as VV-në në pushtet.

“Edhe opozita e djeshme s’mund të sillet me logjikën – s’të dua ty në pushtet por s’e dua as vetveten. Me refrenin – S’bëjmë gabime si ata para nesh. Çdo hap në politikë sfidohet me gabime dhe me suksese, para së gjithash me marrje të riskut”, ka përfunduar Isa Mustafa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *