“Në pritje të Kushtetueses”, Zogaj për bllokadën në Kuvend: Kur i pari dështon, rasti duhet t’u jepet të tjerëve
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka komentuar ngërçin politik të krijuar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në FIVE të TV Dukagjinit, Zogaj ka vlerësuar se vendi po kalon një situatë të pasigurt juridike dhe institucionale, të cilën e cilësoi si “të paprecedentë”.
“Jemi fut në një fazë që ka shumë pikëpyetje. Pra kjo është e paprecedentë çka po ndodh aktualisht. Kemi një pauzim të Kuvendit, deri më datë 8 gusht. Më 8 gusht shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do t’i jep një drejtim kësaj situatë. Se përndryshe do të futemi në një ‘limbo’ pa rezultat”, ka thënë Zogaj.
Zogaj përmendi si shembull rastin e zgjedhjes së qeverisë, ku nëse fituesi nuk arrin të krijojë qeverinë për një afat të caktuar, atëherë rasti u jepet partive të tjera që mund të sigurojnë shumicën. E njëjta qasje, sipas saj, do të duhej të aplikohej edhe për konstituimin e Kuvendit.
“Ne presim, nuk do ta paragjykojmë, por kemi besim dhe shpresë që një zgjidhje do të jepet. Dhe kjo zgjidhje do të ishte, që në një farë forme të përcillet edhe praktike e zgjedhjes së qeverisë. Kur për 30 ditë nuk mundet fituesi i zgjedhjeve me i kriju institucionet edhe me krjiju qeverinë, atëherë i jepet rasti të tjerëve. Atyre që mundësi me i bë bashkë 61 vota. E njëjta do të duhej të ndodhte me Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar Zogaj.