Gazetare: Mihane Hoxha
Kosova dhe Irlanda Veriore janë dy vende të cilat kanë kaluar përmes konflikteve të dhimbshme, por ato sot janë në rrugën e dialogut për të arritur pajtim që do të garantonte të ardhme të ndërtuar mbi paqen.
Për të ndarë përvojat dhe për të mësuar nga njëra-tjetra, rreth një vit më parë në kuadër të programit “Gazetaria e Paqës” u mundësuan vizita studimore ndërmjet gazetarëve nga Kosova dhe Irlanda Veriore.
Shpat Blakçori nga komuniteti shqiptar, Jelena Simiq nga komuniteti serb dhe Nora Gjuzi nga komuniteti egjiptian, janë tre nga dhjetë gazetarët nga Kosova, pjesëmarrës në program, të cilët në prononcimet e tyre kanë rrëfyer përvojën nga vizitat, duke theksuar se, ajo, ka ndikuar pozitivisht si në aspektin personal poashtu edhe në atë profesional.
Për Simiq, vizita në Irlandën Veriore nuk ishte thjeshtë një eksperiencë e rëndomtë në profesionin e saj, pasi historia e qytetit Derry/Londonderry tashmë i ngjasonte me historinë e qytetit të saj.
“Qyteti më kujtoi shumë Mitrovicën, aty ku kam lindur dhe ku jetoj. Ajo ndjesi ndarjeje, por edhe përpjekjet për pajtim, më prekën thellë”, shprehet ajo për Vendi Sot.
Kurse, Blakçori duke e vlerësuar si eksperiencë të jashtëzakonshme, u shpreh se asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja që një ditë do ta kishte fatin të dëgjonte nga afër historinë dhe të vizitonte vendet e konflikteve në Irlandën Veriore.
“Kemi shkëmbyer eksperienca shumë të mira me gazetarët irlandez, pasi që edhe, ne, kemi përjetuar konflikte të përgjakshme ashtu siç kanë përjetuar edhe ata”.
Ndërsa, inicuesit dhe mbështetësit e programit “Gazetaria e Paqes”, me rastin e zbatimit të tij, ishin shprehur se Kosova dhe Irlanda Veriore, kanë histori të ngjashme dhe gazetarët e të dyjave vendeve përveç që do të përjetonin eksperiencë të veçantë, ata edhe do të kontribuonin në promovimin e paqes.
Paul O’Conor, Zv. Ambasador i Ambasadës Britanike në Prishtinë, theksoi se Kosova dhe Irlanda e Veriut kanë histori të veçanta dhe komplekse. “Kjo është më shumë se një shkëmbim profesional; është një mundësi unike për të kuptuar fuqinë e mediave në promovimin e paqes, pajtimit dhe respektit të ndërsjelltë”.
Ndërsa, Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ishte shprehur se “kjo do të jetë një mësim i vlefshëm për të dy grupet e gazetarëve për të kuptuar, si secili vend ka përballuar të kaluarën e tij në raportimin mbi luftën dhe konfliktin”.
Allan Leonard, redaktor menaxhues në Shared Future News dhe nikoqir i programit në Irlandën Veriore, duke folur për rëndësin e bashkëpunimit, ndër të tjerash pohonte se, “ky shkëmbim përvojash është emocionues për gazetarët e të dyja vendeve, duke filluar nga përvojat e tyre personale dhe profesionale në vendet e tyre të konfliktit dhe duke punuar për një të ardhme më të mirë”.
Ndërsa, për Nehari Sharri drejtor i zyrës së Pro Peace (ish Forum ZFD në Kosovë), mediat dhe gazetarët e pavarur janë aktorë kyç në mbështetje të zhvillimeve pluraliste në Kosovë. “Sidomos, kur përballen me sfidat e të kaluarës, është thelbësore që gazetaria të bazohen në fakte dhe të ofrojë perspektiva të ndryshme, veçanërisht në mbulimin e ngjarjeve historike dhe raportimin mbi ndikimet e vazhdueshme të konflikteve dhe proceseve të paqes”.
Pa tensionin e barrierave – në luftimin e paragjykimeve
Përtej rëndësisë së bashkëpunimit me gazetarët nga Irlanda Veriore, për gazetarët pjesëmarrës nga Kosova, të cilët ishin të përbërë prej një grupi shumë-etnik, vizita në Irlandën Veriore, ishte rast i rrallë bashkëpunimi krahasur me paragjykimet dhe tensionet e përditshme etnike.
Që nga nisja në Prishtinë, pjesëmarrësit lanë pas këto paragjykime, për tu fokusuar në qëllimin profesional dhe atë njerëzor të udhëtimit.
Gazetarja Gjuzi, në prononcimin e saj për Vendi Sot përshkruan momentet sesi kishte filluar kontaktet e para me pjesëmarrësit e tjerë të programit.
“Me nisjen për në Irlandë Veriore, kishim filluar të krijonim kontakte me secilin gazetar që ishte pjesë e programit. Kjo ndodhi në mënyrë të natyrshme dhe na ndihmoi të thyenim paragjykimet, si dhe çdo pikëpyetje apo pasiguri që mund të kishim pasur më herët”.
Gjithashtu, ajo konisderon se kjo ishte edhe një mundësi përmes së cilës krijuan hapësirë për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të ndarë perspektiva dhe për të ndërtuar ide së bashku.
“Kur udhëton dhe bashkëpunon me njerëz nga komunitete të ndryshme, paragjykimet thyhen natyrshëm. Ndërtohet një njohje e drejtpërdrejtë që është shumë më e fuqishme se çdo narrativë e imponuar”, është shprehur Gjuzi.
Poashtu, edhe për gazetaren Simiq, bashkëpunimin me gazetarët e komuniteteve të ndryshme e konsideron frymëzuese.
“Të udhëtoja nga Prishtina si pjesë e një grupi ishte një përvojë e veçantë që në fillim – u lidhëm shpejt me njëri-tjetrin dhe kjo e bëri gjithë eksperiencën edhe më kuptimplote”.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi ndërmejt gazetarëve të të dyjave vendeve, Kosovës dhe Irlandës Veriore, programi është finalizuar me shkrimin e dhjetë artikujve – me bashkëautorë.
“Puna me gazetarë komunitarë ishte frymëzuese, dhe bashkë-shkrimi i një artikulli me një koleg nga Irlanda e Veriut ishte një përvojë që e çmova shumë. Më ndihmoi të reflektoj më thellë dhe të dal nga perspektiva ime e zakonshme. Besoj me gjithë zemër se bashkëpunime të tilla ndihmojnë në thyerjen e paragjykimeve dhe në krijimin e narrativave të reja, më pozitive dhe më shpresëdhënëse. Ishte një përvojë që do ta mbaj mend gjatë, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal”, shprehet Simiq.
Eksperienca nga Irlanda Veriore – reflektim për bashkëjetesën etnike
Gazetari Blakçori, në prononcimin e tij, për Vendi Sot duke folur mbi eksperiencën gjatë qëndrimit në Irlandën Veriore, është shprehur se pavarësisht të kaluarës së dhimbshme, kishte parë në mesin e banorëve të Irlandës Veriore përpjekje të jashtëzakonshme për të ecur përpara në atë mënyrë që fëmijët e tyre të kenë një të ardhme më të mirë, më të sigurt dhe të mos përjetojnë më atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën e tyre, me gjeneratat e vjetëra.
“Ashtu siç është rasti tek ne, që vazhdojmë të kemi dallime të mëdha politike e kulturore me serbët, por natyrisht që nuk mungon dialogu. Ashtu siç kemi pasur mundësi që të takohemi me gazetarët serbë dhe kemi shkëmbyer mendime të ndryshme, kemi dialoguar, kemi pasur qasje konstruktive nga të dyja palët”, ka theksuar Blakçori, duke shtuar se për të, ishte befasi kur i kishte hasur ‘muret e paqes’ në kryeqytetin Belfast dhe në qytetin e Derry/Londonderry, mure të cilat vazhdojnë t’i ndajnë në mes protestantët dhe katolikët.
Kurse, Gjuzi, është shprehur se ajo që i ka lënë më së shumti përshtypje, ishte sinqeriteti me të cilin folën njerëzit që kishin përjetuar konfliktin.
“Ishte shumë prekëse të dëgjoje sesi, edhe pas dhimbjeve të mëdha, ata kanë zgjedhur ta kthejnë përvojën e tyre në diçka që i kontribuojnë paqes”, ka përfunduar ajo.
Pas vizitës në Irelandën Veriore, gazetarët e Kosovës u pritën nga Ambasadori i Britanisë, në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, i cili ishte i fokusuar në sfidat e raportimit mbi drejtësinë kalimtare dhe nxjerrjen e mësimeve nga përvoja e Irlandës Veriore.
Ky shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace -Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.