LAJMET

Një javë prej krimit në Gjilan, Mefaili me djem ende në arrati, Policia: Po punohet intensivisht për rastin

Sot janë bërë një javë prej kur ndodhi krimi i rëndë në Gjilan, ku dyshohet se për shkak të fajdes pas disa të shtënave me armë mbetën të vrarë tre persona. Të dyshuar për rastin janë Mefail Shkodra me djemtë Engjullin dhe Edonisin. Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve, të tre ende gjenden në arrati.

Sot Policia rajonale e Gjilanit i tha Gazetës Express se po punojnë intensivisht për rastin.

“Po punohet intensivisht lidhur me rastin që keni pyet. Në momentin që ka zhvillime të reja që lidhen me këtë rast menjëherë do të ju njoftojmë”, thuhet në përgjigje.

Para disa ditëve Policia e rajonit të Gjilanit ka thënë se kanë ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve për vrasjen e trefishtë që ndodhi atje mesditën e së dielës së kaluar.

Tutje kanë thënë se kanë apeluar edhe përmes mediave që kushdo që ka informacione për ta, të kontaktojë policinë.

Po ashtu policia ka njoftuar të gjitha pikat kufitare dhe kanë zhvilluar bastisje në vendet ku “kanë besuar” se mund të strehohen të dyshuarit.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve të këtij rasti të rëndë. Përveç masave operative që i kemi në vazhdimësi kemi apeluar edhe përmes mediave duke i bërë publike profilet e personave të dyshimtë të kërkuar dhe kushdo që posedon informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre ta kontaktoj Policinë e Kosovës ku do qoftë në stacionin ma të afërt. Janë njoftuar të gjitha pikatë kufitare që nga momenti i parë kur është raportuar rasti. Janë zhvilluar shumë bastisje në lokacione të ndryshme ku kemi besuar se mundë të strehohen të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e policisë në Gjilan për Express.

Viktimat nga ky krim i rëndë janë Selami dhe Edmond Hasani (babë e bir) dhe Abedin Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *