Osmani pret Prattipatin, flasin për zhvillimet politike dhe “rëndësinë e ruajtjes së një mjedisi demokratik”
Presidentja Vjosa Osmani është takuar me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, gjatë të cilit, siç njofton Presidenca, u trajtuan zhvillimet aktuale në vend dhe tema të tjera me interes të përbashkët.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimit u theksua rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme”, thuhet në njoftim.
Presidenca tha se Osmani i ka theksuar asaj “përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, duke ritheksuar se kjo aleancë mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës”.
