Prizren- Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj zyrtarit policor Remzi Pulaj, i cili dyshohet për keqtrajtim të një qytetari gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lëndim të rëndë trupor.

Lajmin e ka konfirmuar Marcel Lekaj, zëdhënës i kësaj Gjykate, i cili tha se masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit mund të zgjasë deri më 15 korrik 2025.

Në përgjigjen e Lekajt thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresat e lëndës dhe provat materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e e paraburgimit është e bazuar.

Ai tha se Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke u mbështetur nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

“Caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm me qëllim të sigurimit të prezencës së pandehurit në fazën hetimore, pasi që është faza fillestare e hetimit, dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë , kështu do të pengonte dhe vështirësonte sigurimin e provave në fazën hetimore. Po ashtu, duke marrë parasysh peshën e rëndë të verpave penale, mënyrën në të cilën dyshohet të jetë kryer veprat penale, ashtu që me sjelljet e tij dyshohet se ka tejkaluar autorizimet ligjore në dëm të shoqërisë, ku me rastin e arrestimit të të dëmtuarit në këtë proces S.F.,  e ka keqtrajtuar ku me rastin e goditjeve në regjionin e kokës, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore, të gjitha këto e bindin Gjykatën se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i nevojshëm”, thuhet në përgjigje.

Me këto, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurit në procedurën hetimore, dhe rrjedhës së pa penguar të fazës hetimore.

“Betimi për Drejtësi” të martën ka raportuar për kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, sipas të cilës ekziston dyshimi i bazuar se më 14 qershor 2025 rreth orës 21:35 në orën 21:35 në Prizren, tek një kafene, i dyshuari Remzi Pulaj si zyrtar policor, duke keqpërdorur autorizimet e tij, e ka keqtrajtuar personin tjetër, derisa ishte me një zyrtar tjetër policor gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit S.F., i kanë shqiptuar gjobë të kundërvajtjes për shkak të parkimit të palejuar të veturës të cilën ia kanë vendosur tek xhami i veturës, e në ato momente ka dalë i dëmtuari i cili ka qenë brenda kafenesë, duke e hedhur gjobën e kundërvajtjes në tokë. Pas kësaj, thuhet se zyrtari policor Remzi Pulaj së bashku me kolegun e tij, duke e parë gjobën e hedhur, të dëmtuarit i kanë dhënë urdhër verbal që t’i prezantojë dokumentet e idenfikimit, mirëpo ai nuk i është bindur urdhrit të tyre.

Me këtë, thuhet se zyrtarët policorë kishin filluar ta arrestojnë të dëmtuarin, mirëpo ai përsëri nuk ka lejuar ta arrestojnë dhe se gjatë përpjekjes për ta arrestuar, në një moment i pandehuri të dëmtuarit ia ka vënë këmbën, ndërsa kolegu i tij me të dëmtuarin ishin rrëzuar në tokë, duke rënë mbi të dëmtuarin dhe aty në pozitën e shtrirë përtokë e në tentim për ta vënë nën kontroll, i pandehuri të dëmtuarin disa herë e ka goditur me grushte në kokë, tek syri dhe pjesën e veshit të majtë.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, me datë, kohë dhe vend si në pikën e parë të këtij dispozitivi, i pandehuri i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore personit tjetër, në atë mënyrë që i pandehuri Remzi Pulaj të dëmtuarin S.F., disa herë e ka goditur me grushte në kokë, sy dhe pjesën e veshit të majtë. Si pasojë, të dëmtuarit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kthehu lartë