Pas të shtënave me armë në Gllogjan, policia arreston një të dyshuar
Gjatë ditës së sotme, policia në Pejë, gjegjësisht Stacioni Policor në Deçan, ka marrë informacion se në fshatin Gllogjan të Deçanit po dyshohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Me të marrë informatën, Policia tha se menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ku tha se fillimisht janë gjetur disa prova lidhur me këtë rast.
Ndërkaq, hetuesit e Stacionit Policor në Deçan, pas një pune intensive, kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar, ndërsa tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë “Pietro Beretta” e kalibrit 9mm dhe një karikator i së njëjtës armë.
“I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48- orë”, tha Policia në njoftim.
I dyshuari është arrestuar si i dyshuar për veprat penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
