Pemishtja që e lidh Kosovën me Evropën: Sukses mes sfidave
Gazetare: Mihane Hoxha
Në fshatin Zajçec të Kamenicës, pranë kufirit me Serbinë, ka marrë jetë një nismë bujqësore që po e lidh Kosovën me tregjet evropiane – përmes frutave. E konkretizuar në një pemishte të ngritur me pasion nga një ekonomist i kthyer tanimë në fermer, kjo përpjekje po shndërrohet në një model të qëndrueshëm që përfaqëson më shumë se një histori suksesi personal: një urë mes sfidave vendore dhe mundësive ndërkombëtare, raporton Vendisot.info
Një ekonomi e re – rritet mes frutave
Në vitin 2014, Naim Huruglica u përqëndrua në bujqësi, duke ngritur pemishten e tij.
“Për mua, kjo pemishte ka qenë një sfidë e madhe”, thotë ai me një buzëqeshje që pasqyron një dekadë përpjekjesh.
Përmes kompanisë së tij “Iron Consulting” që deri atëherë merrej me këshillime për sektorin publik dhe privat, ai nisi të zgjerojë aktivitetet në drejtim të prodhimit bujqësor.
“Për mua si bashkëpronar, angazhimi në këtë pemishte ka paraqitur diçka krejt të re. Unë me profesion jam ekonomist dhe para se të filloj angazhimin në sektorin privat, për 13 vite kam punuar për institucionet qendrore të vendit”, rrëfen Huruglica.
Ai shton se, krahas përgatitjes së tokës dhe mbjelljes së fidanëve, ka pasur përkrahje edhe të ekspertëve ndërkombëtarë.
“Në fillim mbollëm 1 ha me mollë, më pas edhe 11 ha me mollë, dardhë dhe qershi. Prej vitit 2018 kemi filluar shitjen. Pjesa më e madhe e frutave shitet në tregun vendor, por kemi eksportuar edhe në Gjermani, Slloveni, Shqipëri, e më gjërë”, tregon ai.
Përtej kufijve, drejt Evropës
Huruglica për Vendisot.info sqaron se bashkëpunimi me vendet evropiane nuk ka qenë institucional, por me kompani dhe individë nga Gjermania, Austria, Italia e vende të tjera.
“Ky bashkëpunim është i shtrirë në dy rrafshe: trajnimi i stafit dhe bartja e dijes (know how) për mbrojtjen e pemëve; si dhe ofrimi i mundësive për eksport të produkteve në tregjet ndërkombëtare”.
Ndërsa, për të eksportuar në tregjet e Bashkimit Evropian, sipas tij, duhet përmbushur një sërë kriteresh.
“Analizat e frutave duhet të dëshmojnë përdorimin minimal të produkteve të lejuara për mbrojtjen e bimëve. Paketimi dhe transporti gjithashtu duhet të jenë sipas standardeve të tregut evropian”, ka bërë të ditur Huruglica.
Sfidat e sektorit: Nga klima te konkurrenca e padrejtë
Rruga drejt suksesit, për Hurgulicën nuk ka qenë e lehtë. Ai tregon detaje për sfidat e shumta që përballen fermerët në Kosovë.
“Të merrësh me bujqësi në Kosovë është një sfidë e vërtetë, për shkak të vështirësive në furnizimin me inputet e nevojshme e me kohë dhe mungesës së një tregu të qëndrueshëm. Për më tepër, Kosova vazhdon të jetë e hapur ndaj importeve prej vendeve të treta dhe shpeshherë këto produkte importohen me çmime dukshëm më të lira se kostoja e prodhimit vendor”, tha ai.
Poashtu, ndryshimet klimatike janë një tjetër rrezik serioz për të cilin, Huruglica, ngre shqetësim.
“Në 5 vitet e fundit kemi pasur ngrica të vonshme pranverore, breshër dhe thatësira të mëdha, që e kanë bërë të vështirë punën në terren”.
Kurse, Ministria e Bujqësisë (MBPZhR) i njeh edhe këto probleme.
“Sfidë në zinxhirin e vlerës së pemëve është qasja e vështirë e fermerëve të vegjël në treg, si dhe gama e kufizuar e produkteve e ndërlidhur me rendimentin e ultë. Për disa fermerë do të kishte kuptim të orientonin fermat e tyre drejt industrisë përpunuese, nëse fokusohen te rritja e rendimentit dhe përdorimi intensiv i makinerive – me qëllim që të ulin kostot e prodhimit. Fuqizimi i fermerëve të vegjël kërkon që ata të bashkohen dhe të kryejnë bashkërisht veprimtari në mekanizim dhe tregtim, ku përfshihen ambalazhimi, gradimi”, thuhet në përgjigjen e tyre zyrtare për Vendisot.info
Teknologjia në shërbim të qëndrueshmërisë
Huruglica ka vendosur të ndjekë një rrugë më të qëndrueshme në kultivim.
“Trajtimi i pemishtes po bëhet gjithnjë e më shumë dhe më shpesh, duke përdorur teknologji moderne dhe metoda që shmangin përdorimin e pesticideve, insekticideve dhe herbicideve. P.sh., gjatë tre viteve të fundit, përdorimi i plehut organik na ka ndihmuar në zëvendësimin e plehrave kimike, të cilat jemi duke i përdorur gjithënjë e më pak. Këtë vit e kemi filluar edhe aplikimin e teknologjive moderne, që mundësojnë largimin e barojave pa përdorim të herbicideve”, ka treguar Huruglica.
(Mos) Mbështetja institucionale
Në prononcimin tij, Huruglica, ka theksuar se ndihma nga shteti është e mirëpritur, por është e pamjaftueshme.
“Qeveria përmes MBPZhR, ofron subvencionim për çdo vit për sipërfaqet e mbjellura me fruta. Edhe pse ky subvencionim është në vlerë të vogël, pasi mbulon vetëm rreth 10% të kostove operative”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, edhe Ministra e Bujqësisë e ka konfirmuar se në baza vjetore mbështetë sektorin e bujqësisë dhe në veçanti sektorin e pemëtarisë përmes skemës se subvencioneve si dhe granteve investive.
Në vitin 2024 janë subvencionuar gjithsej 5,523.58 ha të kultivuara me pemë dhe janë financuar 277 projekte përmes granateve në këtë sektor.
“Mbështetja kryesisht përqendrohet në përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së prodhimit, duke përkrahur ngritjen e sipërfaqeve të reja me pemishte, modernizimin e pajisjeve për kultivim, sistemet për ujitje që kursejnë ujë, sistemin e mbrojtjes nga breshëri, objektet për ruajtje dhe deponim dhe makinerinë në fermë që ndikojnë për ta përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë në fermë si ato organike, Global GAP dhe përmirësimin e përgjithshëm të standardeve për tregtim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Tutje, Ministria shton se nuk ka programe për mbështetje të drejtpërdrejt për një shtet apo treg specifik, por ndihmon fermerët të jenë konkurrues në tregjet ndërkombëtare ndëpërmjet certifikimeve, si: fitosanitare, GLOBAL GAP, HACCAP, dhe prodhim organik.
Statistikat e pemëtarisë në Kosovë
Në një prononcim për Vendisot.info, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), kanë bërë të ditur se gjatë pesë viteve të fundit, prodhimi i pemëve është rritur mbi 50% krahasuar me periudhen 2019-2023.
Ndërkaq, të dhënat e fundit për fermerët që merren me pemët janë nga regjistrimi i fundit i bujqësisë, i vitit 2014.
“Sipas Regjistrimit të Bujqësisë të vitit 2014, numri i ekonomive bujqësore me plantacionet e pemëve është 11677 nga gjithsej 130775 (EB). Ndërsa, sipas Anketës së Ekonomive Bujqësore në 2023, sipërfaqet e mbjella me pemë përbëjnë rreth 2.5%”, të tokës së shfrytëzuar bujqësore”, thuhet në përgjigjen e ASK-së.
“Bujqësia në Kosovë ka perspektivë dhe po përforcohet gradualisht si pjesë e tregjeve evropiane”, thotë Huruglica./Vendisot.info/