LAJMET

Prattipati: Mosformimi i institucioneve mund t’i largojë kompanitë amerikane nga Kosova

Kompanitë amerikane kërkojnë qeveri të qëndrueshme dhe partnerë të besueshëm kur shqyrtojnë ku të investojnë, dhe paaftësia e Kosovës për t’i formuar institucionet mund të bëjë që kompanitë të bëjnë biznes diku tjetër.

Nëse Shtetet e Bashkuara shohin se qeveria e Kosovës ndërmerr veprime që i minojnë prioritetet e Administratës Trump, do të ketë kufizime në aftësinë tonë për ta ndjekur një bashkëpunim të tillë.

Kështu është shprehur E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati në një intervistë për “Express”-in.

“Kompanitë amerikane kërkojnë qeveri të qëndrueshme dhe partnerë të besueshëm kur shqyrtojnë ku të investojnë, dhe paaftësia e Kosovës për t’i formuar institucionet mund të bëjë që kompanitë të bëjnë biznes diku tjetër. Mundësitë për ta forcuar marrëdhënien tonë ekonomike mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon. Kjo në fund të fundit është një vendim për përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, por ne i inkurajojmë ata të punojnë së bashku për ta përmbushur mandatin që populli i Kosovës ua ka dhënë”, deklaroi Prattipati.

“Administrata Trump ka qenë e qartë: Qeveria e ShBA-së i jep përparësi sigurisë, stabilitetit dhe marrëdhënieve të drejta ekonomike. Nëse qeveria e Kosovës i ndan këto prioritete dhe angazhohet për të nxitur stabilitet dhe paqe, mundësitë për bashkëpunim janë pothuajse të palimituara”.

“Ka potencial të madh në marrëdhënien ShBA-Kosovë, veçanërisht për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kjo është e mirë për Shtetet e Bashkuara si dhe për Kosovën. Ne shohim mundësi në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, dhe sigurinë kibernetike”.

“Në anën tjetër, nëse Shtetet e Bashkuara shohin se qeveria e Kosovës ndërmerr veprime që i minojnë këto prioritete, do të ketë kufizime në aftësinë tonë për ta ndjekur një bashkëpunim të tillë”, u shpreh E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati.

Diplomatja amerikane tha se Kosova nuk është në fazën e shtetndërtimit, kur u pyet se përse nuk pati ndërhyrje ose përpjekje për ndërmjetësim nga bashkësia ndërkombëtare për t’i bindur partitë që t’i bëjnë institucionet, meqë në të kaluarën ka pasur raste të tilla.

“Udhëheqësit e Kosovës janë zgjedhur për t’i zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre. Kjo do të thotë se ata duhet të punojnë së bashku për ta gjetur një kompromis. Është përgjegjësi e këtyre liderëve politikë ta zgjidhin këtë ngërç. Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund t’i bëjnë zgjedhjet për udhëheqësit apo popullin e Kosovës”, potencoi Prattipati.

Sipas saj, populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e vet ta përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në të mirë të vendit.

Për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit, dhe për pjesëmarrjen ose jo në këtë proces të pakicës serbe në katër komunat veriore, Prattipati tha se partitë politike të serbëve të Kosovës përfaqësojnë qytetarë të këtij vendi.

“Ato janë pjesë e peizazhit politik të Kosovës dhe nuk duhet të bllokohen nga pjesëmarrja politike. Të gjitha partitë duhet ta mbështesin të drejtën e njerëzve për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Kjo do të thotë të parandalohet çdo përpjekje për t’i bllokuar partitë politike të serbëve të Kosovës nga pjesëmarrja në zgjedhje”.

“Përdorimi i ndonjë truku administrativ apo procedural për të penguar parti apo individë që ndryshe janë të kualifikuar të garojnë do ta njolloste rezultatin”, u shpreh ajo.

Tutje, zyrtarja më e lartë amerikane në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, tha se vendi i saj dëshiron t’i forcojnë lidhjet, veçanërisht ekonomikisht, me vendet në rajon.

Por, për ta bërë këtë dhe për ta rritur prosperitetin e përbashkët, “ne dhe populli i Kosovës kemi nevojë për paqe dhe stabilitet”.

“Veprimet që i rrisin tensionet në rajon pengojnë Shtetet e Bashkuara të punojnë në mënyrë produktive me Kosovën. Qeveria në detyrë e kryeministrit Kurti është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Prattipati.

Ajo u shpreh se ShBA-ja është veçanërisht e shqetësuar “me mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura dhe për deklaratat mbi veprime të njëanshme për ta zhvendosur arsimin dhe shëndetësinë në sistemin kosovar”.

“Ne nuk e vëmë në dyshim që këto institucione duhet në fund të integrohen në sistemin e Kosovës. Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është tejet e rëndësishme. Çdo plan për ta ndryshuar statusin e institucioneve paralele duhet të jetë i koordinuar plotësisht dhe të diskutohet paraprakisht me udhëheqësit e zgjedhur dhe anëtarët e komunitetit serb të Kosovës dhe të koordinohet përmes kanaleve të vendosura siç është Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me një afat kohor dhe plan të qartë të përcaktuar. Nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë në mënyrë të përgjegjshme”, theksoi Prattipati.

Për raportet aktuale Kosovë-ShBA, diplomatja amerikane tha se Prishtina zyrtare duhet t’i sigurojë kushtet që partneriteti mes dy vendeve të lulëzojë.

“Kosova duhet t’i sigurojë kushtet në vend që ky partneritet të lulëzojë. Veprimet që ndikojnë negativisht tek qytetarët e Kosovës jo vetëm që i rrezikojnë marrëdhëniet bilaterale të Kosovës, por gjithashtu shkojnë drejtpërdrejt kundër prioriteteve kryesore të Shteteve të Bashkuara në rajon, veçanërisht forcimit të bashkëpunimit ekonomik. Stabiliteti dhe siguria rajonale janë kyçe për prosperitetin ekonomik”, deklaroi E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *