Prokuroria bindet nga sqarimi i kompanisë sllovene, urdhëron që të fillojë numërimi i votave në Mitrovicë
Prokuroria në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar rifillimin e numërimit në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë, pasi e ndërpreu nën dyshimet për manipulim.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut. Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka spjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte”.
Prokuroria shton se ka caktuar dy hetues policorë që do të qëndrojnë deri në përfundimin e procesit të numërimit.
“Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletë votimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit”.
