Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, është intervistuar sot në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, tha për Telegrafin se Bislimi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.
“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit Besnik Bislimi. Por, nuk jemi në gjendje sot të diskutojmë apo japim detaje, meqë çështja është në fazën fillestare të hetimeve”, theksoi ajo.
Tutje, ajo shtoi se PSRK, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret.
Ndryshe, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka reaguar pas intervistimit të tij në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.
Në një postim në rrjetet sociale, Bislimi bëri të ditur se ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, por theksoi se pyetjet e bëra nuk përkonin me këtë cilësi.
“Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari,” shkroi Bislimi.Zëvendëskryeministri në detyrë vlerësoi gjithashtu se intervistimi i tij kishte qëllim mediatik dhe jo hetimor, duke aluduar për një ndërhyrje të qëllimshme në kohën kur zhvillohej dialogu në Bruksel.