Rama: Turp për ata që Thaçin e shohin ende si armik politik- janë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si të turpshme që në Kosovë ende ka të atillë që Hashim Thaçin ende e shohin si armik politik, edhe pse ai është duke u gjykuar në Hagë.
Rama ka thënë se ata janë të “verbuar prej budallakisë kinse patriotike”.
‘’Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, duke uruar të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës’’, ka shkruar mes tjerash Rama në postimin e tij.
