Rohde i reagon Qeverisë: Sulme të papranueshme – Gjëja e fundit që i nevojitet këtij vendi në këtë situatë të vështirë politike
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se e mbështet plotësisht qëndrimin e Ambasadorit të BE’së, Aivo Orav, lidhur me reagimin e Qeverisë në detyrë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Adminstrativ për arkat fiskale.
Sikurse Orav, edhe Rohde ka thënë se sulmet ndaj gjyqtarëve dhe ndikimet politike në gjyqësor janë absolutisht të papranueshme.
“Mbështetje e plotë për qëndrimin e Ambasadorit të BE’së. Sulme të tilla kundër gjyqtarëve dhe ndikimet politike në gjyqësor janë absolutisht të papranueshme. Është gjëja e fundit që i nevojitet këtij vendi në këtë situatë të vështirë politike”, ka shkruar Rohde.
Qeveria në reagim e cilësoi vendimin absurd, teksa Ministri në detyrë, Hekuran Murati, linçoi gjyqtarët, teksa ua publikoi secilit emrat. Orav ka thënë se sulmet ndaj gjyqtarëve dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme.
“Shefat e Misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Sulmet ndaj gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme”, ka shkruar Orav.
Sipas Supremes, reagimi i Qeverisë në detyrë përbën jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.
“Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen”, thuhet në reagim.
Në reagimin e publikuar nga Qeveria në detyrë thuhet se arsyetimi i Supremes është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore, teksa i referohet konstatimit të Supremes për kompetencat e ministrave në detyrë për të nxjerrë akte nënligjore.
“Ky arsyetim është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore. Konkretisht, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është Udhëzimi Administrativ në fjalë”, thuhet në reagim.
Qeveria në detyrë thotë se procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur Qeveria gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, e që sipas tyre kjo i jep këtij akti nënligjor legjitimitet të plotë proceduror dhe substancial.
“Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj. Kjo përbën një kontradiktë të qartë në arsyetimin e dhënë dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit”, thuhet në vendim.
Sa i përket pretendimit për konflikt të mundshëm funksional ndërmjet funksionit të ministrit në detyrë dhe atij të deputetit, Qeveria në detyrë thotë se nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues.
“Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se Seanca Konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues”.
Në fund ka paralajmëruar se do të bëjë ankesë për këtë vendim.