Rohde: Më mirë të zgjidhej trafiku në hyrje të Vushtrrisë, sesa të ndërtohen dy ura në Ibër
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka pyetur se a është koha të ndërtohen ura shtesë në Ibër, në një kohë kur sipas tij, duhet shtensionim i situatës dhe jo tensionim.
Rohde tha se së shpejti janë zgjedhjet lokale dhe se klima politike po ngrohet, teksa shtoi se më mirë do të ishte që të zgjidheshin problemet e trafikut në hyrje të Vushtrrisë sesa të ndërtoheshin dy ura të reja në Ibër.
“Pra, çfarë dua të them, kur shkuam në Mitrovicë, e dini rrugën, do të thosha se do të ishte më e rëndësishme që të zgjidheshin tollovitë në qarkullim rrugor që ndodhin çdo ditë që ndodhin për rreth Vushtrrisë sesa të ndërtohen dy ura. Kjo do të ishte e rëndësishme për ta lehtësuar trafikun”.
“Me siguri KFOR-i në shumë raste ka deklaruar se mjedisi nuk është i duhur. Të gjithë ne e kemi qëllimin për ta hapur urën, nuk ka ndodhur por nëse klima nuk është e duhur për ta hapur një urë, a është e duhura për t’i hapur dy ura? Do ta shohim. E fundit që të gjithë duan të shohin janë më shumë veprime të KFOR-it në veri”, tha Rohde në një intervistë në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ai foli edhe për vizitën e drejtorit për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, duke thënë se mesazhi kyç i vizitës ishte që Kosova t’i kryej punët e saj dhe t’i themelojë institucionet.
“Dua të them që vizita erdhi në një kohë të duhur dhe siç edhe e kemi thënë publikisht pas vizitës mesazhi kyç ishte që Kosova është pa një qeveri funksionale dhe pa kuvend tashmë për 6 muaj, kryeni detyrat e shtëpisë dhe bëjeni sepse kjo krizë kushtetuese që po vazhdon ende është në kundërshti me vullnetin e popullit. Nuk mund të keni një partner real nëse nuk ka numër të duhur nga ana tjetër”, tha Rohde.