Rritet numri i zjarreve – Kosova përballet me sfidën me vetëm 800 zjarrfikës!
Valët e zjarrit nuk po ndalen. Nga fushat e thata deri te banesat e mbipopulluara, zjarret po përfshijnë gjithçka, duke mos kursyer as hapësirat publike, as bizneset private.
Kosova po përballet me një situatë gjithnjë e më alarmante, teksa temperaturat rriten dhe pakujdesia njerëzore mbetet një ndër shkaktarët kryesorë.
Në këtë betejë të përditshme me flakët, në terren janë vetëm rreth 800 zjarrfikës në të gjithë vendin – një numër që ekspertët e sigurisë e konsiderojnë minimal për përballimin efektiv të emergjencave.
Ndërkohë, autoritetet nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave thonë se po investojnë në përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve, për ta modernizuar këtë shërbim jetik.
Por përtej guximit të tyre, zjarrëfikësisht që quhen edhe heronj të përditshëm nuk kanë as sigurime shëndetësore.
Nexhat Behrami, Zëvendësdrejtor i Departamentit për Zjarrfikje dhe Shpëtim, thotë për Kiks Kosovën se kjo çështje ende nuk është zgjidhur dhe pritet të adresohet në nivel shtetëror.
Edhe shujtat – një e drejtë minimale – nuk janë të garantuara për të gjithë, përveç në disa komuna që kanë ndërmarrë hapa për t’i siguruar.
Sa i përket uniformave mbrojtëse ndaj zjarrit, furnizimi i fundit sipas tyre është realizuar këtë vit.
Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, thotë se aktualisht ka mjaftueshëm në stoqe.
Në anën tjetër, edhe pse për momentin ka shoferë për automjetet zjarrfikëse, nevoja për shtim të tyre është evidente. AME-ja thotë se kjo çështje është në trajtim e sipër dhe shumë shpejt pritet të gjendet një zgjidhje konkrete.
Ndërkohë, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave thotë se janë duke investuar në infrastrukturë dhe pajisje, por realiteti në terren mbetet sfidues dhe i papërballueshëm pa mbështetje të plotë institucionale.