LAJMET

SBAShK paralajmëron grevë nëse nuk ka dialog me MAShT-in deri në shtator

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ka paralajmëruar grevë dhe masa të tjera sindikale nëse deri më 20 shtator të këtij viti nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ndër kërkesat kryesore të SBAShK-ut janë negocimi dhe nënshkrimi i kontratës së re kolektive, rritja e vlerës së koeficientit, si dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e përvojës së punës, bashkë me çështje të tjera që lidhen me të drejtat dhe kushtet e punëtorëve të arsimit.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka thënë për KosovaPress, se nëse deri më 20 shtator nuk fillon dialogu me MASHT-in, sindikata do ta thërrasë këshillin drejtues për të shqyrtuar situatën dhe mund të ndërmarrë veprime sindikale, përfshirë edhe grevën.

Derisa përmend kërkesat kryesore të SBASHK-ut, Shala potencon se rritja e pagave për 55 euro është simbolike karshi ngritjes enorme të çmimeve.

Shala thekson se SBASHK-u ka dorëzuar një iniciativë legjislative qytetare për ndryshimin e ligjit të skemave pensionale të financuara nga shteti. Kjo iniciativë, siç thotë ajo, synon që vitet e punës së mësimdhënësve gjatë periudhës 1990–1999, të cilat aktualisht nuk llogariten si vite kontributdhënëse, të njihen si të tilla.

Po ashtu, Shala përmend kushtet e vështira të punës në shkollat e Kosovës, duke theksuar mungesën e dixhitalizimit në shumë prej tyre, ndryshe nga shtetet fqinje ku ky proces është përparuar më tej.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, thotë se që nga viti 2022 nuk kanë pasur takime të frytshme me Ministrinë e Arsimit dhe veçanërisht me ministren Nagavci.

Ndër të tjera, Shala flet edhe për mënyrën e subvencionimit të librave shkollorë për nxënësit, për çka thotë se dy vitet e fundit nuk ka qenë e duhur. Ajo vlerëson se më efektive dhe më e lirë ka qenë mënyra kur librat siguroheshin paraprakisht për nxënësit.

SBASHK-u ka zhvilluar protestën e fundit më 4 dhjetor 2024 duke kërkuar rritje të pagave dhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive. /KP/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *