Shoqata e Prodhuesve: Pezulloni menjëherë vendimin e ZRRE – ende nuk kanë ardhur as faturat
Shoqata e Prodhuesve, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, i bën thirrje të drejtpërdrejtë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për pezullimin urgjent të vendimit të fundit për tarifat e energjisë, i cili po e rrezikon seriozisht sektorin prodhues të vendit.
Fakti që ende nuk kanë ardhur faturat, tregon qartë se nuk ka pasur as përgatitje minimale për zbatimin e këtij vendimi. Kjo situatë dëshmon mungesën e transparencës, planifikimit dhe konsultimit me palët e prekura.
Ky vendim, në një kohë kur bizneset vendore po përballen me:
• rritje të madhe të importeve,
• rënie të eksportit,
• dhe vështirësi serioze në ruajtjen e tregjeve të BE-së, po shndërrohet në një barrë të papërballueshme për prodhuesit tanë.
Rritja e menjëhershme e kostove të energjisë, pa asnjë paralajmërim apo diskutim me sektorin privat, rrezikon jo vetëm konkurrueshmërinë, por edhe vetë mbijetesën e shumë ndërmarrjeve vendore.Kjo është një thirrje e qartë për institucionet – sektori prodhues nuk mund dhe nuk duhet të përballet i vetëm me pasojat e vendimeve të njëanshme!
Kërkojmë nga ZRRE pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe fillimin e një procesi të përgjegjshëm, të hapur dhe të planifikuar për një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm në fushën e energjisë.Sektori prodhues duhet të trajtohet si partner strategjik, jo si viktimë e politikave të nxituara.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të jetë gjithmonë pranë prodhuesve dhe bizneseve, në shërbim të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.