Sjellje me detyrim në Gjykatë – afrohet afati për ekzekutimin e urdhrit ndaj Sveçlës
Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë që urdhëresa për sjellje me detyrim në Gjykatë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të ekzekutohet nga Policia e Kosovës.
Kjo urdhëresë është ende aktive, dhe këtë për Klankosova.tv e konfirmoi përsëri zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Urdhri është lëshuar edhe ndaj Salih Zybës dhe Fitore Pacolli – Dalipit.
Këta akuzohen për veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” si dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, është duke u zhvilluar procedura penale kundër të pandehurve, D.M., XH.S., S.Z., dhe F.P.D, për shkak që secili veç e veç kanë kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 paragrafi 1 dhe veprës penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyres zyrtare nga neni 409 paragrafi të KPRK-së”.
“Gjyqtari i kësaj çështje penale, për shkak se të pandehurit F.P.D, S.Z., dhe XH.S kishin munguar në seancën e datës 16.09.2025 dhe mungesën e tyre nuk e kishin arsyetuar, ka vendosur jashtë seancës dhe ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S.Gjykata ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarr veprimet e mëtejme procedurale për të siguruar prezencën e të pandehurve në seancën e radhës”, deklaroi Gashi.
“Urdhëresën do ta ekzekutoj Policia e Kosovës”.
