Autoritetet në Serbi nuk i janë përgjigjur kërkesës së Kosovës për bashkëpunim në hetimin e sulmit terrorist të vitit të shkuar në kanalin e ujit në “Ibër-Lepenc”.
Megjithëqë presidenti i Serbisë pati premtuar në disa raste se autoritetet e shtetit që udhëheq do të bashkëpunojnë për çështjen edhe me Policinë në Kosovë, në Prokurorinë Speciale kanë thënë se po ndodh e kundërta.
Me gjithë zotimin e bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, veç tri ditë pas sulmit terrorist në kanalin e “Ibër Lepencit”, se autoritetet e shtetit që udhëheq do të bashkëpunojnë edhe me Policinë në Kosovë për zbardhjen e rastit, Beogradi zyrtar nuk i është përgjigjur asnjë kërkese të drejtuar nga Prokuroria Speciale për këtë hetim.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka thënë se autoritetet në Serbi nuk i janë përgjigjur kërkesës për bashkëpunim në hetim, e nisur një muaj pas sulmit të 29 nëntorit 2024.
“Prokurori i rastit më 8.1.2025, pra vetëm disa ditë pas aktit terrorist, u ka dërguar kërkesë autoriteteve të Serbisë, përmes Ndihmës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (përmes Zyrës së BE-së), për sigurimin e provave në ndriçimin e këtij rasti penal, por me gjithë kërkesën e përsëritur për sigurimin e provave, deri më sot nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje nga autoritetet e Serbisë. Theksojmë se kërkesa është përsëritur sërish”, ka thënë Luta.
Premtimin për bashkëpunim Vuçiqi fillimisht e pati bërë në një konferencë shtypi më 1 dhjetor 2024.
“Në pajtim me marrëveshjen e Brukselit jemi të gatshëm ta hapim bashkëpunimin edhe me pjesën profesionale, jo vetëm të EULEX-it, por edhe përmes EULEX-it me Policinë e Prishtinës, që do që ta dijë të vërtetën. Jemi krejt të hapur për bashkëpunim të plotë me KFOR-in, me të gjithë, për cilëndo çështje. Të gjitha të dhënat tona, të gjitha ato që i kërkojnë mund t’i marrin, madje edhe Prishtina”, pati thënë Vuçiqi.
E zotimin e përsëriti edhe dy ditë më vonë, në takim me ish-emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në të cilin edhe u ankua se shteti i tij po përballet me luftë hibride që, sipas tij, drejtohet nga kryeministri tani në detyrë, Albin Kurti.
“Me Miroslav Lajçakun lidhur me ndodhitë në Kosovë e M. lidhur me rrezikimet më të reja të sigurisë dhe të të drejtave të serbëve. Ritheksova që po bëjmë hetim serioz dhe se do të bashkëpunojmë me të gjithë, me qëllimin e ndriçimit të fakteve, të kryerësve dhe, në radhë të parë, të urdhërdhënësve të asaj që ndodhi në Varagë e që ka lëshuar sulm hibrid ndaj vendit tonë”, pati thënë Vuçiqi.
Por në Prokurorinë Speciale kanë thënë se përgjigjja nga autoritetet në Serbi ka munguar edhe kur kërkesa për bashkëpunim është përsëritur.
E lidhur me hetimet në zhvillim për sulmin e vjetëm terrorist mbi infrastrukturën kritike, në organin e akuzës nuk kanë shpalosur detaje, por kanë thënë se janë në pritje të rezultateve nga ekzaminimi i provave që janë dërguar jashtë vendit.
“Përveç bashkëpunimit me institucionet vendore, PSRK-ja është në bashkëpunim edhe me ato ndërkombëtare, duke theksuar se në kuadër të këtij bashkëpunimi një numër të provave i kemi dërguar jashtë vendit për ekzaminim”, ka thënë zëdhënësja Luta, shkruan Koha.
Për sulmin e 29 nëntorit të 2024-s, në hetime është përfshirë edhe Byroja Kombëtare amerikane e Hetimeve, FBI. Deri më tani në paraburgim janë duke u mbajtur dy të dyshuar teksa krahas Dragisha e Jovan Viqentijeviqit, në Prokurori kanë thënë se ka edhe të dyshuar të tjerë.