Sytë e Amerikës në Kosovë – foto e rrallë e James Rubin në Prishtinë
Një fotografi e rrallë e James Rubin në Prishtinë gjatë dhjetorit të vitit 1991, është publikuar nga fotoreporteri, Ridvan Slivova.
Imazhi bardhë e zi tregon Rubinin në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet i veshur me xhaketë dhe dorëza, e i shoqëruar nga dy persona të tjerë.
Rubin i cili sot dëshmon në mbrojtje të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ndihmëssekretar i shtetit për çështjet publike dhe zëdhënës zyrtar gjatë administratës së Bill Clinton dhe sekretarit të shtetit Madeleine Albright. Ai ishte një nga figurat kyçe të politikës së jashtme të ShBA-së në fund të viteve ’90.
Ai luajti një rol të rëndësishëm në komunikimin e politikës amerikane gjatë luftës së Kosovë dhe ndërhyrjes së NATO-s në 1999.
Rubin ka vizituar shpesh rajonin dhe ka qenë një përkrahës i zgjidhjeve diplomatike për krizën në Kosovë dhe stabilitetin në rajon. Ka mbrojtur publikisht ndërhyrjen e NATO-s si të domosdoshme për ndalimin e spastrimit etnik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.