LAJMETSTORJE & INTERVISTA

Të rinjtë e Malishevës sytë kah perëndimi – Kush po mbetet pas?

Gazetare: Mihane Hoxha

Gjenerata e re në Malishevë po e sheh të ardhmen jashtë kufijve të Kosovës.

Shumë të rinj po largohen menjëherë pas përfundimit të shkollës — e disa, madje, edhe para se ta përfundojnë atë.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Vendisot.info përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), gjatë vitit shkollor 2024/25 janë larguar nga Kosova 629 nxënës, prej të cilëve 84 nga komuna e Malishevës.
Në të njëjtën periudhë, 1,176 nxënës kanë braktisur shkollën në gjithë vendin — ndër ta, 71 janë nga Malisheva.

Por, përtej numrave që ndryshojnë vit pas viti, janë historitë personale ato që flasin më shumë: ëndrrat e paplotësuara, sakrificat familjare dhe mungesa e shpresës që i shtyjnë të rinjtë të marrin rrugën e ikjes.

‘S’ka çka më mban këtu’

“Ishte prilli i vitit 2018 kur për herë të parë mora rrugën e gurbetit”, me këto fjalë e nis rrëfimin e tij Petriti, një i ri nga Malisheva që la shkollimin përgjysmë për t’u nisur drejt Gjermanisë.

“Me dëshirë nuk e kam zgjedhur këtë rrugë, por nuk pashë tjetër mundësi. Nuk mund ta mbaja më veten në një vend ku s’kisha punë, s’kisha perspektivë, as mbështetje”.

Petrit Hoxha në ambientet e punës, Gjermani.

Sot, Petriti jeton dhe punon në Gjermani, ku tashmë ka krijuar edhe familje. Por, mallin për vendlindjen e mban përmbrenda, si një peshë të përditshme.

“Me trup jam këtu, por me mendje e zemër jam gjithmonë në Kosovë”, thotë ai.

Kurse, baba i tij, Rrustem Hoxhaj, 80 vjeç rrëfen me emocione momentet kur e nisi atë për gurbet.

“Vet jam pensionist i Gjermanisë, e kam kaluar nën lëkurën time gurbetin, është shumë i vështirë. Por, Petritin, nuk e ndalova kur vendosi të merrte këtë rrugëtim, sepse e pashë që s’kishte rrugë tjetër”, tha ai duke shtuar se, sa herë që djali i kthehet për pushime, e përjeton si një festë, por edhe si plagë që hapet prapë kur ai largohet.

“Sikur të kishim një shtet që do e mbante rininë këtu…” shprehet Rrustemi.

Rrustem Hoxhaj, babai i Petritit

Ky realitet përsëritet me dhjetëra e qindra herë, çdo vit.

Rasti më i fundit është ai i nxënësit H. A., i cili këto ditë ka braktisur shkollimin dhe po përgatitet të migrojë drejt Italisë.

“Nuk po e gjej më veten këtu”, thotë ai.

“Në mësime nuk kam rezultate të mira. Dhe, për të ndjekur ndonjë zanat (kurs) që do të më përgatiste për punë nuk kam hasur këtu, andaj, dua ta provoj jashtë. Thjeshtë nuk më mban asgjë këtu”.

Por, jo të gjithë janë vetëm në largim. Ka edhe të rinj që zgjedhin të kthehen. Si rasti i nxënëses F.P., e cila pas tre vitesh qëndrimi në Itali është rikthyer në Kosovë, dhe po vijon mësimet në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë.

“Arsyeja e migrimit ka qenë gjendja ekonomike. Atje sapo kemi shkuar jemi ballafaquar me një realitet ndryshe, duke filluar nga kushtet shumë të mira që posedonte shkolla, në të cilën jam ambientuar shumë lehtë, pasi edhe gjuhën e mësova shpejt”, thotë ajo.

Gjatë intervistës me nxënësen F.P., në ambientet e gjimnazit ‘Hamdi Berisha’ në Malishevë.

Dhe, gjatë bisedës me të, ajo tregon që për tri vite familja e saj punuan fort dhe me të ardhurat e fituara vendosen që të investojnë në një biznes në Kosovë, me ç’rast edhe u bë sebep që ata bashkërisht të kthehen sërish në Kosovë.

“Me tu kthyer këtu në gjimnaz, më kanë pritë shumë mirë. Krejt gjërat që i ka Italia i gjeta këtu. Andaj, iu them moshatarëve të mi se edhe këtu në Kosovë ia vlen, nëse përpiqemi bashkë”.

Rikthimin e nxënëses F.P., e ka konfirmuar edhe vet stafi drejtues i gjimnazit “Hamdi Berisha”, duke pohuar se këtë vit në të janë sistemuar dy nxënës (përfshirë F.P.,) të rikthyer nga Evropa – ndërsa vitin e kalauar tetë nxënës.

Rikthimi i këtyre nxënësve në shkollë është bërë i mundur në bazë të një udhëzimi administrativ të MAShTI-it.

Kur bankat e shkollës mbesin bosh

Izet Hoti, drejtor i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, flet për një realitet shqetësues.

“Nëse e krahasojmë me disa vite më parë, kemi rënë nga 2600 nxënës në vetëm 950. Kjo është shumë shqetësuese. Fëmijët po largohen në Evropë (vetëm ose) bashkë me familjet, të tjerët po ndërpresin mësimin për të punuar në ndërtimtari ose markete”.

Kjo situatë, sipas Hotit, krijon pasoja direkte në procesin mësimor.
“Orët po reduktohen, profesorët po mbesin pa norma”, thotë ai.

Izet Hoti, drejtor i gjimnazit “Hamdi Berisha” – Malishevë

Derisa shton së komuna ka investuar rreth 500 mijë euro në këtë shkollë, duke filluar nga izolimi i jashtëm, krijimi i hapësirave sportive deri te pajisja dixhitale e kabinetëve, por mungon faktori më i rëndësishëm: nxënësi.

“Përkundër përpjekjeve dhe investimeve, duket se nuk mjafton vetëm përmirësimi i infrastrukturës për ta mbajtur rininë”, shton Hoti.

Pse po ikin të rinjtë?

Sociologia Mimoza Sojeva – Pajaziti, ikjen e të rinjve nga Kosova e sheh si një fenomen të ndërlikuar dhe shumëdimensional.

“Nuk është vetëm paga apo papunësia. Ka mungesë besimi në sistem. Rinia nuk ndjehet e vlerësuar, nuk sheh rrugë për zhvillim profesional. Në shumë raste, përparimi në vend nuk varet nga përkushtimi, por nga lidhjet (nepotizmi)”.

Mimoza Sojeva – Pajaziti / Sociologe

Ajo shton se faktorët psikologjikë dhe kulturorë ndikojnë po aq sa ata ekonomikë.

“Shembujt e diasporës, rrjetet sociale, perceptimi për një jetë më të sigurt jashtë etj,. Të gjtiha këto krijojnë një realitet të dytë ku Kosova shfaqet e pashpresë, ndërsa ‘jashtë’ shihet si shpëtim”, thotë Sojeva – Pajaziti.

“Nëse nuk e ndryshojmë këtë klimë, largimi do të vazhdojë në heshtje, por me pasoja të mëdha”, ka shtuar ajo.

Komuna përmes aktiviteteve kulturore ‘tenton’ ta ndalojë ikjen e rinisë

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, në Malishevë, Fitim Shala, thotë se rinia ka mundësi të angazhohet në aktivitete kulturore.

Fitim Shala – DKRS

“Kemi organizuar kampe rinore, festivalin MALFEST, jemi në proces të licencimit të qendrës rinore, dhe do të hartojmë një plan të ri për Veprim Rinor Lokal”.

Malishevë 

Por, Petriti, H.A., dhe shumë të rinj të tjerë vazhdojnë jetën jashtë Kosovës, duke mbajtur me vete mallin për familjen dhe ëndërrat që s’mundën t’i realizojnë në vendin e tyre.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *