Të shtëna në një dasmë në Shtime, dy persona përfundojnë në polici
Policia ka intervistuar dy persona nën dyshimin se kanë shtënë me armë në një dasmë në Shtime.
“Policia e Kosovës, përmes stacionit policor në Shtime, ka reaguar menjëherë pas pranimit të një informacioni rreth orës 09:00 të mëngjesit, për të shtëna me armë zjarri në një dasmë në fshatin Petrovë, Shtime”, thuhet në njoftimin e Policisë Rajonale të Ferizajt.
“Gjatë ndërhyrjes, është kontaktuar njëri nga të dyshuarit, i cili ka dorëzuar armën e zjarrit, e cila më pas është konfiskuar nga policia”.
Policia ka njoftuar se të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
“I dyshuari A.B., 23 vjeç, është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, ndërsa më pas është intervistuar edhe i dyshuari tjetër A.M., 45 vjeç, për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Prokurori i shtetit, i njoftuar për rastin, ka urdhëruar që të dy personat të lirohen në procedurë të rregullt”.