Policia Kufitare në Rinas ka proceduar penalisht një 45-vjeçar izraelit, i cili tentoi të dalë nga Shqipëria me 194 mijë euro të padeklaruara.
Policia ka bërë të ditur se paratë janë sekuestruar.
“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të vendit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në bashkëpunim me shërbimet doganore, kanë goditur një tjetër rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar, të shumave të konsiderueshme të parave”.
“Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. Y., 45 vjeç, me shtetësi izraelite, të cilit gjatë kontrollit në vijën e dytë iu gjetën 194.000 euro që synonte të dilte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar konform ligjit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.