LAJMET

Terroristët e Banjskës ruajnë Vuçiqin, kërkohet dorëzimi i tyre në Kosovë

Ruajtja e institucionit kryesor në Serbi, iu la disa personave të besueshëm.Të kërkuar në Kosovë për sulm terrorist, Milorad Jevtic, Zarko Cvetkovic e Vladimir Vucetic, u vendosën në rreshtin e parë, për tu kujdesur për presidencën serbe, gjatë protestave kundër Aleksandër Vuçiqit këtë të shtunë.

Këta tre janë të akuzuar nga prokuroria Speciale e Kosovës, për sulmin e 24 shtatorit të 2023, në Banjkë të Zveçanit, sulm në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Për këtë ka pasur reagim edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ai ka thënë se me këtë kuptohet se ky grup ishte nën komandën e shtetit serb.

“Tash të njëjtit janë edhe më afër se mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë. Kjo tregon që kemi pasur të drejtë kur kemi thënë që ky grup kriminal e terrorist është i dirigjuar, financuar nga Beogradi dhe nuk është një grup huliganësh. Janë njerëz, të cilët janë ushtruar në Serbi, i marrin urdhrat prej andej dhe kanë bërë agresion në Kosovë. Prandaj ata duhet t’i dorëzohen Kosovës. Kjo flet që ne kemi pasur gjithçka të drejtë dhe tregon gjithçka për vetë regjimin e Beogradit”, ka deklaruar Kurti.

Por, sipas Fadil Kajtazit, njohës i çështjeve të sigurisë, nuk mjafton vetëm ky reagim i Kurtit për të ngritur çështjen që sipas tij është shqetësuese.

Kajtazi, në këtë kontekst ka përmendur edhe raportet e shpesh herë të brishta të qeverisë që udhëhiqet nga Kurti me ndërkombëtarët.

“Është shqetësuese për arsye po del që sulmi në Banjskë ka pasur një drit jeshile ose është shikuar edhe nga Bashkësia ndërkombëtare kjo ka ndodh krejt si pasojë e pozitës me mardhënien ndërkombëtare që ka krijuar kryeministri kurti dhe ministrja Gërvalla, dmth konflikti që ka qeveria e Kosovës me ndërkombëtare i ka dhënë dritën jeshile ose është treguar e shurdhër ndaj aksioneve që Serbia ka ndërmarr në veriun e Kosovës..”, tha Kajtazi.

Gjithashtu, ai ka kërkuar aktivizim më të madh të Ministrisë së Punëve të Jashtme për çështje të tilla.

Në lidhje me ketë temë dhe përsonat që u identifikuan nga opozita në Serbi duke e ruajtur Vuçiqin, Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në Bashkimin Evropian, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.

Në shtator të vitit të kaluar Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj 45 persona, për sulmin terrorist në Banjskë të Zvecanit.

Tre prej tyre janë në paraburgim dhe janë në proces gjyqësor ndërkohë që 42 të tjerët përfshirë edhe kreun e grupit Milan Radoiçiq, vazhtojnë të jenë në kërkim nga drejtësia kosovare edhe më tutje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *