LAJMET

Thaçi-Meta: Unë nuk kam votë për Konjufcën

Deputetja e LDK-së, Adelina Thaçi-Meta ka bërë të ditur se nuk ka votë për kandidatin e propozuar nga VV-ja për President, Glauk Konjufcën.

Ajo u shpreh se votë nuk ka as për cilindo kandidat tjetër partiak, siç u shpreh ajo, aq më pak të partisë në pushtet.

“Ne nuk guxojmë, për asnjë çmim, që me Votat tona si deputetë ta instalojmë në Kosove një Autokraci, ku të gjitha pushtetet e ndara, Qeveria, Parlamenti, Presidenca e nesër edhe Gjyqësori e Institucionet e pavarura t’i nënshtrohen tekeve, shijeve dhe vullnetit të vetëm NJË NJERIU dhe të Partisë në pushtet”.

“Nëse do të ngjante një gjë e tillë me Vota t‘deputetëve – atëherë duhet ta dinë të gjithë – se kjo autokraci – kurrë më s’do të mund të largohej me Vota të deputeteve brenda Parlamentit, apo përmes zgjedhjeve. Por vetëm jashtë institucioneve! Vendit, si gjithandej në botën demokratike e perëndimore, i duhet një President-e Konsensuale që është jo vetëm simbol unitetit, por edhe garancë e pushteteve të ndara e të balancuara, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, demokracisë dhe zgjedhjeve të lira”, ka shkruar ajo.

Deputetja është shprehur se Kosova ka dhjetëra e dhjetëra Intelektualë e personalitete kredibile jashtë partive politike, që sipas saj, munden dhe dinë ta ushtrojnë detyrën e Presidentes apo Presidentit.

“Por duket se Kryministri Kurti, s’i beson asnjë personaliteti me kredibilitet moral, kombëtarë, profesional e njerëzor – që s’është shërbëtor i tij?! Andaj, unë s’Votoj kurrë për instalim të një mendësie të tillë, autokracie dhe kthimit të vendit tonë, në pushtet një partiak”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Presidenti Rugova, në rrethana larg më të vështira e më të rrezikshme, qysh me 23 Dhjetor 1989, kanë heq e gjuajt mënjanë prangat e mendësisë një partiake, këndej dhe andej kufirit”, ka shkruar Thaçi-Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *